Real Madrid nuk arrin dot të bëjë përmbysjen e madhe ndaj Arsenalit në “Santiago Bernabeu”. Madrilenët pas humbjes 3-0 në “Emirates” u mundën edhe sot në shtëpi me shifrat 1-2.

Arsenal pati shansin e artë të kalojë në avantazh në minutën e 10-të, por Saka humbi penalltinë. Raul Asencio pengon brenda zonës Mikel Merino-n, arbitri pasi pamjet në ekran akordoi penallti për “Topçinjtë”. Bukayo Saka gabon nga 11-metërshi, goditja e tij pritet nga Courtois.

Në minutën e 24-të, pas një krosimi në zonë, Mbappe ka një kontakt me Declan Rice dhe rrëzohet në tokë, arbitri akordon penallti, ndërhyn VAR . Pas disa minutash pritje, dhe vendimit nga VAR që nuk ishte penallti, arbitri shikon vetë pamjet në ekran dhe vendosë të tërheq vendimin e tij të parë, loja vazhdon normalisht. Rice ndëshkohet me të verdhë dhe humb ndeshjen e radhës në gjysmëfinale.

Pas penalltisë të humbur në pjesën e parë, Bukayo Saka shlyen gabimin dhe gjen golin në Madrid. Sulmuesi zhbllokoi rezultatin me golin e tij në minutën e 64-të, pas asistit të Mikel Merino-s.

Gjithsesi kundërpërgjigja e madrilenëve erdhi për një minutë, Vinicius Junior përfiton nga një gabim i pafalshëm i mbrojtësit të Arsenalit, William Saliba dhe dërgon topin në rrjetë duke barazuar shifrat. Në minutat shtesë, Arsenali gjen dhe golin e dytë me Gabriel Martinelli, braziliani merr një top të bukur nga Mikel Merino dhe dërgon topin në rrjetë.

Rezultati përfundimtar 1-2. Arsenal shkon në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 5-1 dhe i pret PSG-ja në gjysmëfinale. Reali e mbyll këtu aventurën në Champions League.

SHIKOGOLAT