Real Madrid dhe Barcelona do të luajnë këtë të dielë në finalen e Superkupës së Spanjës në Riad. Një klasik për të diskutuar titullin e parë të sezonit. Një milion Euro shtesë do të jetë bonusi për kampionin, me të dy skuadrat që tashmë kanë arkëtuar gjashtë milionë për pjesëmarrjen në këtë kompeticion.

Fitorja e Superkupës së Spanjës do të vlente jo vetëm për prestigjin, por edhe për xhepat e futbollistëve. Florentino Perez i ka premtuar lojtarëve të Real Madrid një shifër shpërblimesh që do të arrinte në 150 mijë Euro për çdo lojtarë në skuadër dhe stafin teknik.

Kjo do të nënkuptonte një shpërblim prej rreth katër milionë Eurosh në total. Bonus që është shumë larg asaj që morën futbollistët për fitimin e Champions League të fundit, e cila arriti në 450 mijë Euro për çdo lojtarë.

Një shpërblim financiar për të inkurajuar futbollistët, sepse titujt nënkuptojnë edhe të ardhura shtesë në marketing dhe reklama për arkën e klubit, përveç çmimeve të përcaktuara nga Federata Spanjolle e Futbollit.

Kjo e fundit do të grumbullojë një total prej 40 milionë Euro nga ky kompeticion, teksa përveç Real Madrid dhe Barcelona ka një bonus prej 3 milionë Eurosh për Atleticon e Madridit dhe 1.5 milionë Euro për arkat e Osasunës.