Edhe pse ana ekonomike e klubeve është cënuar ndjeshëm në muajt e fundit për shkak të koronavirusit, sërish duket se pandemia nuk ka për të penguar Real Madrid të bëjë shpenzimet e tij galaktike. Los Blancos prej kohësh i ishin vënë pas Pol Pogba, por së fundmi interesi për mesfushorin duket se ka ardhur në rënie.
Tashmë, në listën e madrilenëve një tjetër futbollist ka marrë prioritetin. Bëhet fjalë për Kai Havertz, talentin e Bajer Leverkusen.
Mesfushori i avancuar këtë sezon ka shkëlqyer me paraqitjet e tij në fushë, ndërsa ka vazhduar me të njëjtat ritme edhe pas ndërprerjes duke u bërë udhëheqësi i “Aspirinave”.
Kështu, Real është gati të ofrojë shumën prej 80 milionë eurosh për të bindur klubin gjerman të heqë dorë nga Havertz, ndërsa kjo shifër vështirë të konkurrohet edhe nga klubet e tjera që janë të interesuara për talentin.
Tashmë, mbeten për t’u parë zhvillimet në ditët e ardhshme, por vështirë që Leverkusen të refuzonte një ofertë kaq bujare. /VipSport/