Dy skuadrat më të çmendura në merkaton e futbollit, Real Madrid dhe PSG, do të ndeshen në fazën e parë pas grupeve në Ligën e Kampionëve. Pak kush e priste kaq shpejt! Madje, ka edhe nga ata që e quanin një finale ideale të kompeticionit më të madh në Evropë. Pra, një finale ëndrrash! Mos rrëmoni më kot për të gjetur ndonjë arsye të jashtëzakonshme.

Në dy kryeqytetet e kontinentit plak, Madrid dhe Paris, dihet se luajnë disa nga lojtarët më të shtrenjtë në histori. Kaq ishte.

https://www.youtube.com/watch?v=uv5yrt6RwF8

Transferimet e tyre kanë qenë absolutisht më të bujshmit dhe krijojnë lajm edhe kur thjesht marrin frymë apo… veshin çorapet. Ky është futbolli dhe kemi frikë se kështu do të jetë për dekada të tëra: spektakël, marketing, para, yje, prezantime “bombastike” dhe ja ku u krijua menuja e përkryer, e cila tërheq si magnet qindra miliona tifozë në mbarë globin.

E nisim me transferimet e kushtueshme të kampionëve të Evropës, të gjitha në sulm, ashtu si PSG-ja. Cristiano Ronaldo i ka kushtuar 94 milionë euro Real Madridit, i blerë nga Manchester United. Mendohej se portugezi do të ishte lojtari më i shtrenjtë në histori, por katër vite pas transferimit të tij në “Santiago Bernabeu” Florentino Perez bleu një më të shtrenjtë, uellsianin Gareth Bale, për 101 milionë euro (nga Tottenham). Pjesëtari tjetër i treshes “BBC” në Madrid është Karim Benzema, i blerë për 35 milionë euro nga Lyon. Shifër modeste, ë? Ndoshta, por jo atëherë kur u ble ai.

Shpërngulemi në Paris, aty ku po luan rekordmeni Neymar. Ylli brazilian mund të largohej vetëm për 222 milionë euro nga Barcelona dhe nënkampionët e Francës “u çmendën” duke e paguar këtë shumë në verën e kaluar. Sikur të mos mjaftonte 25-vjeçari, PSG-ja pas këtij sezoni do të kryejë edhe blerjen përfundimtare të adoleshentit Kylian Mbappé për 180 milionë euro (nga Monaco). As sulmuesi pykë nuk është ndonjë blerje mesatare. Edinson Cavani u ka kushtuar 64,5 milionë euro parisienëve, i blerë nga Napoli.

I lexuat mirë shifrat e mësipërme? Sulmi i Real Madridit dhe PSG-së ka kushtuar gjithsej 696,5 milionë euro. Me këtë investim, skuadrat e tjera evropiane, me përjashtim të dy rasteve, Chelsea dhe Manchester City, do të kishin formuar një 23-sh të plotë për disa vite me radhë.

A do të shohim në fushë një spektakël në raport me vlerat e yjeve? E vështirë, sepse gjashtë njerëz kurrsesi nuk mund ta kenë vlerën rreth 700 milionë euro, por… jemi në vitin 2017. /EDS/