Real Madrid është kualifikuar për të tetën herë radhazi për në çerekfinalet e Champions League dhe vazhdon ëndrrën për të fituar për herë të tretë radhazi këtë veprimtari prestigjioze.

“Los Blancos” kanë eliminuar Paris SG me rezultatin e përgjithshëm 5-2, me dy fitore, 3-1 në “Santiago Bernabeu” dhe 2-1 në mbrëmjen e sotme në “Parc des Princes”.

Francezët e panë veten në disavantazh në fushën e tyre nga goli i shënuar me kokë nga Cristiano Ronaldo, në minutën e pestë të pjesës së dytë.

Portugezi ka shënuar në nëntë ndeshje radhazi në Champions League duke barazuar rekordin e Ruud Van Nistlerooy.

Ai është golashënuesi më i mirë në historinë e kësaj veprimtarie me 119 gola.

Real Madrid, që e nisi ndeshjen i sigurt pas fitores në ndeshjen e parë, nuk pati në radhët e tij Modric dhe Kroos, që nuk janë riaftësuar plotësisht, megjithatë e kontrolloi mirë fushën duke administruar avantazhin.

Nga ana tjetër, PSG vuajti mungesën e futbollistit më të shtrenjtë të historisë, Neymar.

Goli i miqve erdhi si pasojë e një gabimi të Dani Alves. Asensio që rikuperoi topin nisi një pasim të artë për Lucas Vasquez, i cili krosoi te Cristiano Ronaldo, që tundi rrjetën me një goditje të saktë me kokë.

PSG mbeti me dhjetë futbollistë, 25 minuta para fundit, si pasojë e kartonit të dytë të verdhë të marrë nga italiani Verratti, por arriti të barazojë me golin “rokambolesk” të Edinson Cavani.

Gjithsesi, ndeshja u mbyll 1-2, pas golit të Casemiro, 10 minuta para fundit./telesport/