Carlo Ancelotti do të shkarkohet në rast se Reali i Madridit eliminohet nga Liga e Kampionëve. Ky është vendimi i marrë nga presidenca e klubit, që i ka vendosur ultimatum teknikut italian.

Askush nuk e kishte menduar që Reali i Madridit do të mposhtej nga Arsenali me një rezultat 3-0 e do të rrezikonte eliminimin nga Liga e Kampionëve, madje që në ndeshjen e parë. As vetë tekniku Carlo Ancelotti, ndaj të cilit është vendosur ultimatum, ku në rast se nuk e kalon Arsenalin, nuk ka më vend te Los Blancos.

Gazetat spanjolle kanë publikuar detaje nga mbledhja e fundit e presidencës së galaktikëve, ku kryefjala ka qenë humbja e thellë me Arsenalin, e cila i ka lëkundur totalisht pozitat e trajnerit italian.

Florentino Perez i ka kërkuar Ancelottit kualifikimin në gjysmëfinale, në të kundërt nuk do të jetë më pjesë e skuadrës. Ky është lajmi i konfirmuar nga Marca, megjithëse vetë zyrtarë të klubit nuk kanë bërë asnjë reagim për ta përgënjeshtruar artikullin e publikuar në orët e fundit.

Ancelotti ka ende dhe 1 vit kontratë me Realin e Madridit, por një largim i parakohshëm nuk do të ishte surprizë. Siç dihet, prej gati 2 vitesh ai vijon tratativat me Brazilin, për të marrë drejtimin e skuadrës së “Seleção”-s, e madje periudha e duhur shihej vera e 2025-ës. Në rast se Ancelotti shkarkohet javën e ardhshme, atëherë ai menjëherë do t’i bashkohej 5 herë kampionëve të botës, për t’i drejtuar ata drejt një tjetër kompeticioni madhor.