Real Madridi nuk është në nivelin e vitit të kaluar dhe Liga e Kampionëve është i vetmi trofe që mund të kapet deri në fund të sezonit. Dhe në Angli besojnë se bordi drejtues i të bardhëve tashmë po planifikon një revolucion për edicionin e ardhshëm. “Daily Mail” shkruan këtë të shtunë se Real Madridi mund të lërë pa disa yje Premier League këtë verë, me marrjen e David de Gea, Hazard dhe Harry Kane. Një operacion i trefishtë, që do të ishte historik në botën e futbollit, sepse do të përfshinte një disbursim prej afër 600 milionë euro në një merkato të vetme.

Gazeta britanike vlerëson mesfushorin e Chelsea dhe sulmuesin e Tottenhamit me 230 milionë euro, ndërsa portierin spanjoll të Manchester United me 110 milionë euro.

Të tria negociatat do të ishin shumë të shtrenjta (570 milionë euro) dhe shumë të vështira për Real Madridin. Në rastin e Kane, ekipi i bardhë do të duhet të përballet me presidentin Daniel Levy, një nga negociatorët më të mirë në futbollin europian.

Rasti “Hazard” duket më i volitshëm, por në javët e fundit belgu e ka moderuar tonin, teksa duket i gatshëm të rinovojë me Chelsea. Edhe De Gea ka në tryezë një ofertë të shijshme rinovimi nga Manchester United. Përveç kësaj, Mourinho dëshiron nënshkrimin e tij, për ta lidhur me klubin e Manchesterit përjetë.

Dhe ky revolucion do të vinte nga dora e Mauricio Pochettino. Kjo gazetë siguron që “tridenti” i Premier League do të jetë në duart e trajnerit argjentinas, edhe pse negociatat me Tottenhamin do të jenë shumë të vështira.

Shtypi anglez shton këtë të shtunë se Real Madrid ka hedhur një hap më tej dhe tashmë ka kontaktuar me rrethin e Mauricio Pochettino. “Daily Mail” publikon se Real Madridi nuk ka ndërmend të avancojë me ardhjen e trajnerit argjentinas dhe ideja do të jetë gjithmonë të vendosë me Zidane deri në fund të sezonit./telesport/