Gazeta italiane Gazzetta dello Sport ka publikuar një lajm për interesimin e Real Madridit për lojtarin më të mirë të Milanit këtë sezon, Tijjani Reijnders, i cili shihet si pasues i veteranit Luka Modric.

Real Madridi po përgatitet dalëngadalë për jetën pa Modric dhe mund të shohim se sa shumë i mungon një mesfushor i klasit botëror, nga rezultatet dhe ndeshjet e këtij sezoni.

Gazzetta dello Sport raportoi informacione të besueshme për interesimin e Real Madridit për Reijnders, lojtar i cili “shpërtheu” tërësisht në fanellën e Milanit këtë sezon.

Gazeta italiane thekson se vlera e Reijnders ka shkuar në 60 milionë euro këtë sezon, por se kuqezinjtë kanë vendosur të refuzojnë çdo qasje ndaj lojtarit të tyre më të mirë, me të cilin kanë rënë dakord për të vazhduar bashkëpunimin.

Milani dhe Reijnders zhvilluan një takim ditët e fundit dhe ranë dakord për të zgjatur bashkëpunimin deri në vitin 2029, me opsion edhe për një vit. Reprezentuesit holandez i është rritur paga në 3.5 milionë euro.

Real Madridi e shtoi interesimin për Reijnders pasi holandezi i madh “shkërmoqi” skuadrën madrilene në Santiago Bernabeu gjatë ndeshjes së Ligës së Kampionëve, të cilën Milani e fitoi 3-1. Los Blancos janë impresionuar nga loja e Reijnders dhe ai është në krye të listës së lojtarëve që mund të pasojnë Modric.

Megjithatë, ajo që duhet të peshojë në favor të qëndrimit të tij në San Siro është kënaqësia dhe lidhja me tifozët që e vlerësojnë atë si lojtarin më të rëndësishëm të klubit. /Telegrafi/