Real Madrid ka bërë një veprim të paprecedent në historinë e tij, teksa ka bërë një kërkesë zyrtare në Federatën Spanjolle për ndryshimin e sistemit të gjykimit. Madrilenët e kanë bërë gjithçka publike edhe për mbështetësit e tyre, si pasojë e reagimeve të shumta pas humbjes në ndeshjen kundër Espanjol.

Në letrën e gjatë drejtuar autoriteteve që drejtojnë futbollin spanjoll dhe janë përgjegjëse për arbitrimin, kërkohet urgjentisht transparencë për ngjarjet ndaj Espanjolit, si për një ndërhyrje të Karlos Romero ku nuk u dha karton i kuq dhe një gol që iu anulua Vinicius.

Por jo vetëm kaq, kërkohet “reformë strukturore” e sistemit të arbitrimit, që akuzohet si “me të meta”. “i korruptuar” dhe “mashtrues”. Madrilenët kanë kërkuar gjithashtu edhe “zëvendësimin e gjyqtarëve që kanë periudha të gjata të dyshuar”, në një letër që bën shumë bujë edhe për faktin se tashmë madrilenët akuzojnë hapur se ka tendencë kundër tyre për t’i dëmtuar.

Sipas Realit, edhe pamjet e VAR të treguara “janë manipuluar që të sjellin vendime të gabuara kundër Real Madrid”. “Çdo gjë shkon përtej gabimit njerëzor te veprimi me qëllim. Nuk bëhet fjalë për gabime që ndodhin rrallëherë, por një rrugë e vazhdueshme veprimi, e përdorur si mekanizëm për të dëmtuar Real Madridin”, shkruhet ndër të tjera në këtë letër.