Humbja gjithmonë shkakton zhgënjim. Te Real Madridi edhe më shumë, sepse folja “humbas” është e lidhur keq me “shtëpinë e bardhë”. Humbja ndaj Lille bëri që skuadra e Carlo Ancelotti të takonte disfatën e urryer pas 259 ditësh.

Që prej datës 18 janar, ndaj Atlético Madridit në Kupën e Mbretit dhe në kohën shtesë, “Los Blancos” nuk e kishin lënë fushën e lojës të mposhtur. Dhe nëse konteksti reduktohet në Ligën e Kampionëve, ai shkon deri në 505 ditë pathyeshmëri, nga 17 maji 2023 në ndeshjen e dytë gjysmëfinale kundër Manchester City në “Etihad”.

Rezultati negativ 1-0 erdhi në një stadium ku Real Madridi e filloi si favorit. Kjo për shkak se Lille është një ekip me pak gjurmë në Europë, megjithëse lojtarët e Bruno Génésio ishin përgjegjës për t’i shpjeguar kontinentit se nuk janë rastësisht në Ligën e Kampionëve.

Frustrimi i të bardhëve fillimisht mori formë në fjalët e Andriy Lunin, në fund të ndeshjes: “Është e vështirë të analizohet, nuk e di nëse ka munguar agresioni, kreativiteti, lufta pak më shumë. Në pjesën e dytë u përmirësuam, por hej duam gjithmonë të fitojmë, e dimë me çfarë ngjyrash luajmë. Gjithsesi, asgjë nuk ka nevojë të bëhet dramatike, ne duhet të vazhdojmë të punojmë”.

Portieri ukrainas, i cili nuk e ndaloi dot penalltinë, por la një dorë shpëtimi më parë, nuk ngurroi të fokusohej tek pjesa e parë: “Pjesa e parë ishte e keqe, duhet ta analizojmë për të parë se çfarë ndodhi dhe të përmirësohemi”.

Fran García ishte në të njëjtën linjë, duke pranuar si Lunin se Real Madridi nuk kishte luajtur një ndeshje të mirë: “Ishte e komplikuar, nuk ishte ndeshja jonë më e mirë, duhet të bëjmë autokritikë. Në Champions League ka një nivel shumë të lartë, tani duhet të shikojmë nga e shtuna, ndeshja e radhës”.

“Më dukej sikur po përmirësoheshim, por bëmë një hap prapa me këtë ndeshje, tha Carlo Ancelotti, të cilit nuk i pëlqeu aspak paraqitja e të tijve. – Lille ka qenë më e mirë se ne. Pak vëmendje dhe pak kritikë është e mirë për ne”.

Thirrja e zgjimit nuk do të vijë vetëm nga jashtë, por “Carletto” do t’ua bëjë vetë lojtarëve të tij. Ai nuk do që një ndeshje si ajo e Lille të përsëritet. Nuk është një justifikim, pavarësisht rasteve në fund, që i lejuan Real Madridit të ëndërronte një barazim. “Lille ka qenë më e mirë se ne, humbja është e drejtë, – këmbënguli trajneri i Real Madridit. – Gjithçka ka shkuar shumë keq”.

Kjo disfatë në ndeshjen e dytë të kësaj Lige të re të Kampionëve është e vështirë për t’u vlerësuar në pasoja. E qartë është se skuadra e Ancelottit tani përballet me tri sfida radhazi kundër gjigantëve europianë në Champions: Borussia Dortmund dhe Milan në “Bernabeu”, si dhe udhëtimin në shtëpinë e Liverpool-it.

Nuk ka kalendar relaksues as në La Liga, duke nisur nga ndeshja e kësaj të shtune ndaj Villarrealit, një prej skuadrave më në formë të kampionatit. Është koha për analiza, seria pa humbje tashmë fillon nga zero…/telesport/