Në merkaton e dimrit, Dinamo afroi në ekipin e saj një futbollist me mjaft perspektivë për të ardhmen. Fjala është për qendërmbrojtësin tropojan Realf Zhivanaj. 25-vjeçari ishte një nga afrimet që u bë në merkaton e dimrit, me shpresën se do të ishte ai që do t’i garantonte sigurinë në mbrojtje skuadrës së Dinamos në gjysmën e dytë të sezonit.
Megjithatë, kjo gjë nuk po ndodh me Realf Zhivanajn që është “lënë në harresë” nga trajneri Dritan Mehmeti gjithnjë e më shumë. Një situatë që askush nuk e mendonte fillimisht, si në klub, ashtu edhe vetë futbollisti tropojan.
Në gjysmën e sezonit, qendërmbrojtësi u afrua nga drejtuesit për të luajtur në repartin e prapavijës së bashku me Eni Imamin, por që duket se që me ardhjen e trajnerit të ri Dritan Mehmeti, Zhivanaj është “fikur” plotësisht sa i takon minutazhit dhe nuk po preferohet më nga trajneri kryeqytetas, ndryshe nga trajneri i mëparshëm Nevil Dede.
Futbollisti, i ndikuar edhe nga mungesa e aktivizimit, ka humbur disi atë shkëlqimin e tij dhe nga një titullar i padiskutueshëm i Dedes, me Mehmetin po qëndron në stol dhe po i rezervohen shumë pak minuta në fushë.
Në shtatë sfida deri më tani të Dinamos me Dritan Mehmetin, ky i fundit e ka aktivizuar si zëvendësues vetëm në dy ndeshje, pikërisht ndaj Besëlidhjes ku luajti vetëm 10-minuta në fund dhe ndaj Lushnjës në 45-minutëshin e pjesës së dytë. Tashmë, situata ka ardhur në pikën ku me trajnerin kryeqytetas, as si rezervë nuk po i mundësohen hapësira.
Edhe për sfidën e fundit që do të jetë në vazhdim ndaj Luzit, gjasat që Realf Zhivanaj të hidhet në fushë qoftë edhe si zëvendësues duken shumë të pakta. Megjithatë, tashmë një gjë është e sigurtë që trajneri i Dinamos, Dritan Mehmeti, nuk e ka në preferencat e tij dhe si rrjedhojë, duket se edhe largimi i Zhivanajt nga dinamovitët është thjesht çështje kohe.