Ka përfunduar në Bernabeu çerekfinalja e parë e Champions League mes Real Madrid dhe Chelsea. “Los Blancos” fituan me rezultatin 2-0 falë golave të Benzema dhe Asensio. Ekipi i Ancelottit shënoi nga një gol në çdo pjesë.

“Los Blancos” zhbllokojnë shifrat pas 22 minutash lojë me të përhershmin Karim Benzema që ndodhet në momentin e duhur në vendin e duhur për të shtyrë topin në rrjetë. Kundërpërgjigjet menjëherë Chelsea me Raheem Sterling që ka shansin e artë për të vendosur baraspeshën, por nuk e shfrytëzon si duhet mundësinë që i jepet.

Me fitoren minimale të madrilenëve mbyllet pjesa e parë, ndërsa në të dytën, Chelsea tronditet në minutën e 59-të pasi Ben Chilwell ndëshkohet me karton të kuq. Kontrollin e lojës e kanë vendasit dhe në minutën e 74-t dyfishojnë shifrat me Marco Asensio. Ky i fundit shfrytëzon si duhet një pasim të Vinicius dhe me një goditje tokazi çon topin në rrjetë.

Me 10 lojtarë Chelsea duket i pafuqishëm për të reaguar, ndërsa nga ana tjetër Reali menaxhon mirë avantazhin. Një shans të artë ka edhe Benzema për të mbyllur ndeshjen me një dopietë personale, por gabon. Sfida mbyllet me fitoren 2-0 të Realit që hedh kështu një hap të rëndësishëm drejt gjysmëfinales.