Eden Hazard i kanë mjaftuar 83 minuta në Ligën e Kampioneve në të gjithë kompeticionin, që të siguronte medaljen e tij të parë të fituesit, pasi Real Madrid triumfoi në finalen ndaj Liverpulit.

Futbollisti belg ishte zëvendësues në finalen ndaj Liverpulit, por edhe ai pati mundësinë të ngjitej në podium e festonte këtë triumf në “Stade de France”. Bashkë me të, festoi edhe Çelsi.

Kur klubi anglez pranoi shitjen e tij te Real Madrid në vitin 2019, u vendosën disa klauzola bonusesh në kontratën e transferimit dhe një prej tyre ishte ajo e fitores në Ligën e Kampioneve të “los blancos” me Hazard që do të ishte pjesë e skuadrës.

Fakti që Hazard mori medaljen e fituesit gjatë ceremonisë së mbrëmshme për 83 minutat e luajtura në këtë edicion, bëri klauzolën aktive dhe tashmë Çelsi do të përfitojë një shifër prej 15 milionë paund falë tij.

Belgu luajti në vetëm 3 ndeshje në këtë edicion të turneut, për herë të fundit në muajin shkurt në ndeshjen e parë me eliminim direkt të luajtur kundër PSG-së, ku ishte në fushë për vetëm 8 minuta.

Para saj, ai kishte luajtur 9 minuta të tjera në ndeshjen e fundit në grupe, kur Reali mposhti 2-0 Interin. E vetmja ndeshje ku ai luajti titullar, ishte humbja me shifrat 2-1 ndaj Sherif Tiraspol në “Santiago Bernabeu” në muajin shtator.