Reali i Madridit mund të shkruajë emrin e tij në faqet e rekordeve të La Ligës ditën e sotme.
Klubi “galaktik” që nga fillimi i kampionatit në vitin 1928 ka arritur të shënojë 5977 gola. Vetëm 3 i duhen për të arritur një shifër rekordi, në mbrëmje ndaj Betisit.
Lojtari i parë që shënoi për Realin ishte Hamie Lazkano, në javën e parë të kampionatit 1928- 1929 kundër C.D Europa.
Madrilenët fituan 5-0 dhe Lazkano shënoi 4 nga 5 golat e ndeshjes. Pas 22 vitesh, madrilenët arritën të shënonin golin e 1000-të me autor Pahinjon.
Ishte 5 nëntori i 1950-ës kur Reali triumfoi 2-5 me Atletikon e Bilbaos në “San Mames”. Gento shënoi golin e 2000-të në fitoren 3-1 ndaj Pontevedras.
Në vitin 1982, Huan Gomez shënoi golin numër 3000 në kampionat, ndërsa goli i 4000-të erdhi 12 vite më vonë dhe mbante firmën e Ivan Zamoranos.
Në listën e golave të rëndësishëm nuk mund të mungonte Raul, i cili shënoi golin e 4500-të, ndërsa Guti dërgoi topin në rrjetë për herë të 5000. Nga goli i 5000-të deri tek shifra 6000 është një kohë e shkurtër (nëse arrihet ndaj Betisit), pasi kanë kaluar 363 ndeshje.
Zidan- Fitorja ndaj PSG-së, rrotacionet, momenti i kthesës dhe formacioni ishin disa nga temat kryesore të konferencës së trajnerit Zinedin Zidan në prag të ndeshjes me Betisin.
Por, Zizu lëshoi edhe një deklaratë të befasishme. “Të jesh trajner është punë e lodhshme, aq më shumë kur je trajner i Realit.
Presioni është i madh, por unë po e shijoj këtë moment dhe dua të bëj më të mirën. Nuk mendoj për të ardhmen, por dita-ditës dhe për ndeshjen e ardhshme.
Formacioni? Nuk them asgjë për këtë temë. Unë kam shumë lojtarë, të cilët duan të aktivizohen të gjithë. Një herë luan Bejl si titullar, një herë luan Isko dhe herë tjetër Asensio”, tha Zidan.
Trajneri i Realit foli gjithashtu edhe për Ronaldon. “Është një lojtar mbi të cilin nuk mund të dyshosh kurrë. Bën gjithmonë detyrën e tij në fushën e lojës.
Nuk e di nëse ky është momenti i tij më i mirë i sezonit, por ai e di shumë mirë që kanë mbetur shumë ndeshje deri në fund të kampionatit dhe të Ligës së Kampionëve.
Betis? Do të kisha dashur më shumë kohë për ta përgatitur ndeshjen, por fitorja me PSG-në na jep besim për të ardhmen”, ka thënë trajneri Zidan në konferencën për shtyp.
EKIPET GOLASHËNUES
1. REAL MADRID 5997
2. BARCELONA 5960
3. ATL. BILBAO 4568
5. VALENCIA 4443
6. SEVIJA 3709
7. ESPANJOL 3360
8. SOCIEDAD 3271
9. ZARAGOZA 2683
10. SELTA VIGO 2319