Ruben Diaz bëri një vlerësim të sinqertë pas humbjes 6-3 të Mançester Sitit me rezultat të përgjithshëm kundër Realit të Madridit, duke deklaruar se skuadra më e mirë kaloi në 16 skuadrat e mbetura të Ligës së Kampioneve.

Pas humbjes 3-2 të javës së kaluar në “Etihad Stadium”, lojtarët e Pep Guardiolës shkuan në “Santiago Bernabeu” për ndeshjen e kthimit me një detyrë të vështirë, por skuadra e Karlo Ançelotit sulmoi me ritëm dhe saktësi ndërsa Kilian Mbape realizoi një tregolësh, duke mos e vënë asnjëherë në dyshim kualifikimin në 1/8- at.

Niko Gonzalez shënoi një gol ngushëllimi të vonë për kampionët e Anglisë, por golat e Mbapesë e kishin bërë tashmë dëmin dhe sollën eliminimin e Sitit në raundin e “play off”-it. Pas ndeshjes, në një intervistë për televizionin e klubit, mbrojtësi pranoi se Siti duhej të luante më mirë në Madrid dhe i kërkoi skuadrës të pranojë humbjen dhe të kërkojë të përmirësohet për të ardhmen. “Ne nuk ishim mjaftueshëm të mirë. Të shtrëngojmë duart dhe të shohim përpara”, tha Diaz.

“Kemi shumë për të përmirësuar, duhet të jemi më të mirë. Futbolli është i tillë. Ky është momenti dhe duhet të jesh mjaftueshëm i mirë në këtë moment dhe, nëse nuk je, atëherë largohesh. Natyrisht, në mendjet tona zhgënjimi është ndoshta më i rëndë se zakonisht, sepse nuk na pëlqen të humbasim. Ne nuk na pëlqen të jemi në këtë pozicion. Nuk është vetëm se jemi mësuar të fitojmë çdo vit, është thjesht mentaliteti, është mënyra jonë e të qenurit, është ajri ynë që thithim.

Dhe, duke qenë kështu, dhemb më shumë. Ne nuk e marrim lehtë. E vetmja mënyrë për t’u përmirësuar dhe e vetmja mënyrë për të parë përpara, është të pranojmë atë që ndodhi dhe sot nuk ishim mjaftueshëm të mirë. E them pa problem, duhet ta pranoni. Është e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe e vetmja mënyrë për të parë veten dhe për të kuptuar se duhet të bëjmë më mirë. Ne nuk ishim më të mirë se ata. Si të tillë ata e meritonin të kalonin”.