Herald Marku la shenjën e tij në këtë fitore të rëndësishme të Vllaznisë, duke shënuar një gol spektakolar në minutën e 19-të. Ai ishte protagonist edhe në disa raste të tjera me gjuajtjet potente nga jashtë zonës dhe me lojën e tij konstante.
Pas ndeshjes, mesfushori për “Panorama Sport” u shpreh i lumtur për golin, ndërkohë që ka lënë të hapur vazhdimin e aventurës së tij me fanellën e Vllaznisë. “Ishte një ndeshje shumë emocionuese dhe jam i kënaqur që u mbyll me sukses të plotë nga ana jonë.
Jam i kënaqur që gjeta golin e parë timin në këtë sezon në një përballje të tillë të rëndësishme. Goli erdhi në një moment të vonë, por atëherë kur duhej. Jam shumë i lumtur që kontribuova në këtë fitore. Pozicioni? Do të luaj ku të më thonë trajnerët dhe aty do të përpiqem të jap më të mirën.
Në mesin e fushës normalisht që jam më shumë i kënaqur. Dua të theksoj se jam shumë i lumtur që Vllaznia do të jetë në Superiore edhe sezonin e ardhshëm.
Kam pasur kontakte me drejtuesit që të jem sërish pjesë e këtij ekipi, por të shohim. Kontrata më ka përfunduar dhe me drejtuesit kam pasur kontakte për të ardhmen”, tha mes të tjerash titullari si skuadrës kuqeblu.