Arthur Melo ka vendosur në mënyrë të njëanshme që ta mbyllë para kohe përvojën e tij te Barcelona.

Braziliani nuk ka ndërmend të rikthehet në klubin “blaugrana” për pjesën e mbetur të sezonit (ndeshjet e Championsit).
Futbollisti brazilian, i transferuar te Juventusi për sezonin e ardhshëm, ia komunikoi vendimin klubit orët e fundit.

Këtë të hënë ai nuk është paraqitur për të kryer testin e Koronavirusit, sikurse ishte planifikuar.

Arthur nuk kishte arsye për të munguar, kështu që klubi konsideron këtë qëndrim si shkelje të kontratës.

Futbollisti brazilian shfrytëzoi ditët e pushimit të lejuara nga trajneri Quique Setien pas përfundimit të kampionatit për të shkuar në Ibiza për disa ditë pushimesh, por ai i komunikoi klubit që do të udhëtonte drejt Brazilit.

Barcelona e ka paralajmëruar se ka kontratë deri në fund të Ligës së Kampionëve dhe se sjellja e tij mund të ketë pasoja serioze.

Lojtari duket se është i gatshëm të vuajë pasojat dhe nuk mendon, tani për tani, të bashkohet me skuadrën.