Ditët kalojnë dhe ankthi shtohet në kampin shkodran në pragndeshjen me Flamurtarin. Kuqeblutë ndodhen në pozita aspak të mira në renditje dhe për rrjedhojë, u duhet të shohin mundësinë për të marrë pikë në këtë sfidë.
Por padyshim që nuk do të jetë e lehtë një gjë e tillë. Për rëndësinë e ndeshjes ndaj Flamurtarit ka folur për “Shkodra Sport” edhe ish- kapiteni i Vllaznisë Elvin Beqiri.
Në lidhje me ndeshjen e Vlorës ka deklaruar se skuadra shkodrane duhet të jetë e kënaqur edhe me një barazim atje.
“Flamurtari pavarësisht problemeve të javëve të fundit, ka një skuadër të mirë megjithatë Vllaznisë i duhen pikë dhe padyshim që do të shkojë në Vlorë me objektivin e qartë për të mos dalë pa gjë nga kjo fushë.
Mendoj se edhe një barazim, do të ishte një rezultat i kënaqshëm për kuqeblutë. Më pas, vjen Kamza në Shkodër dhe padyshim që duhet fituar ndaj saj.
Nëse ndodhin këto gjëra, në tre ndeshjet e fundit pastaj, Partizanit, Kukësit dhe Skënderbeut, jam shumë i bindur se Vllaznia jo vetëm ka për prodhuar një futboll të bukur por ka për të marrë pikë edhe ndaj tyre.
Vetëm në këtë mënyrë, skuadra jonë do ia dalë të arrijë objektivin që ka dhe unë jam i bindur për këtë gjë”- është shprehur ish- numri 2 i kuqebluve për vite me rradhë.
© shkodrasport.com