Redi Jupi sheh anomali në këtë pjesë të fundit të sezonit në Superiore. Kjo jo vetëm për luhatjet e disa skuadrave, por edhe për aleancat e ndryshme që sipas tij bëjnë tani në fund ekipet.
Në një intervistë për “Sport News” në News 24”, ai ka bërë të qartë se këto marrëdhënie penalizojnë zhvillimin normal të garës. Në bashkëbisedimin me moderatoren Trevisa Tufa, ai ka theksuar gjithashtu se po sheh diçka të papëlqyeshme në mënyrën se si po drejtohet klubi i Partizanit, ndërsa ka folur edhe për pretendimet që kemi për Kombëtaren, si dhe rastin Brruti.
Redi, 7 javë përpara fundit, kë sheh si favoritë? Cili ekip të bind në garën për titull?
Ka patur ulje-ngritje në javët e fundit. Dinamo, në një moment më është dukur si ekipi favorit, por ka patur disa oshilacione. Mbase, kjo vjen nga dëmtimet. Në këto momente shikoj Egnatian pak më të favorizuar. 7 javë janë shumë për të parashikuar një gjendje potenciale të situatës.
E sheh Partizanin të rrezikuar për “Final Four”? A mund ta kapë formën e duhur në këto javë të fundit?
Abilialiaj po kopjon këtë modelin e shëmtuar të drejtorëve sportivë, që bëhen drejtorë-trajnerë, drejtorë-shoferë, shoferë-trajnerë, bëhen çdo gjë, mjafton që këta të jenë në punë, nuk ka rëndësi çfarë ndodhë me ekipin. I kemi patur modele të tilla. Nuk më pëlqen situata e krijuar, por një klub serioz nuk mundet që një drejtor ta bëjë trajner. Pati fatin, edhe meritën, e fitores në Korçë. Nëse diferenca do ishte më e ngushtë me Elbasanin, futet pastaj ankthi dhe tensioni i daljes nga kjo garë. Partizani, mbase, e ka fituar kampionatin e vet. Partizani duhet të luajë për të fituar gjëra të mëdha dhe jo vetëm për të siguruar katërshen e parë.
Një garë më e fortë luhet për mbijetesën, sa rrezikon Tirana? Pasi besoj se vetëm bardheblutë i kanë trazuar kartat në fund me prezencën e tyre në këtë garë për të mbijetuar…
Kjo gara për mbijetesën ndikon në top 4. Më shumë sesa një garë e mirëfilltë sportive, është një marrëdhënie intrigash dhe aleancash. Sa vite ka Egnatia që nuk fiton dot me Teutën, apo Ballshi fiton lehtë me Partizanin? Disa gjëra nuk të lënë shije të mirë. Tifozët nuk janë të interesuar kush është më i fortë në negociata, por duan të shikojnë kush e meriton të qëndrojë e kush të bjerë. Me këtë vlerë që ka kampionati, nuk është ndonjë dramë e madhe nëse ndokush bie. Ka javë që 3 ekipet e fundit fitojnë me 3 ekipet e para, nuk e di a ndodh në ndonjë vend tjetër. Kjo ndodh, te ato skuadra që janë të impenjuara në Champions dhe bëjnë rotacion masiv. Ekipet tona bëjnë një ndeshje më javë, ndaj më duket e çuditshme.
Redi, më 21 mars startojnë kualifikueset e Botërorit, çfarë ndjesie ke, çfarë pritshmerie?
Në kemi pritshmëri të mëdha. Kemi patur fatin dy herë të kualifikohemi në Europian. Ka ardhur momenti që ta shikojmë Shqipërinë në një kompeticion botëror. Kjo është një ëndërr e madhe e të gjithëve. Kemi grupin e lojtarëve.
Të shqetëson fakti që një pjesë e legjionarëve janë të dëmtuar, ose jo në formë optimale? Bëhet fjalë për lojtarë si Broja, Hysaj, Ismajli, Mitaj, Tuci etj…
Nëse këtë herë janë të dëmtuar disa lojtarë të rëndësishëm, në herën tjetër do të jetë dikush tjetër. Anglisë iu dëmtua Arnold në Champions, të gjithë do kemi problematika. Ne duhet të jemi të qartë për cilësitë tona dhe të shkojmë me një filozofi të caktuar. Ne vetëm kështu mund të bëjnë ndeshje racionale. Gjithmonë është ajo shprehja për ekipet e vogla, nuk duhet synuar objektivin, pa vendosur në vijë hapat e vegjël. Nëse ke thjesht synimin e objektivit, pa përgatitur si duhet gjërat, kjo na çon në trishtim të madh. Nëse përgatisim si duhet gjëra, nëse bëjmë listën si duhet, edhe mund t’ia dalim.
Në fund, si i sheh këto lëvizjet si rasti i Etnik Brrutit? Lojtarë të Kosovës që zgjedhin Shqipërinë, pse në Kosovë e shohin si tradhti, pse po bën kaq zhurmë tani?
Unë kam punuar në FSHF 2010-2015 pikërisht me rekrutimin e lojtarëve shqiptarë. Ne kemi marrë lojtarë vetëm se kishin emër dhe mbiemër që përputheshin me tonën. Ne na vjen mirë që këta lojtarë zgjedhin Shqipërinë, por edhe ata duan të bëjnë ekipin e tyre. Ky djali (Brruti), nga këto fjalë, bëhet me ngarkesë teknike, duke qenë që është diskutuar shumë një lojtar që nuk e njeh njeri. Pastaj do ngrihet pritshmëria dhe do i bëjmë dëm në aspektin teknik.