Redon Ismaili është lojtari i parë që i është bashkuar ekipit në këtë fazë përgatitore. Pas fundit të kontratës me Gjilanin, 21- vjeçari zgjodhi Partizanin për të vijuar karrierën. Mesfushori ka folur së fundmi për faqen e klubit, ku ka rrëfyer emocionet e para në klubin e ri. Ai debutoi dje ndaj Universitate Klyzh.

TE PARTIZANI – “Po ndihem mjaft mirë këtu te Partizani. Për mua është hap përpara për karrierën. Te Gjilani kam kaluar mirë, është ekipi i zemrës, ku kam marrë hapat e parë. Tani kalimi te Partizani është hap mjaft i mirë për karrierën. Shpresoj të bëj mirë këtu”.

NË SUPERIORE – “Hera e parë që luaj në këtë kampionat. Mezi pres të filloj aventurën e re dhe jam mjaft i lumtur që jam këtu. Shpresoj të arrijmë objektivat me skuadrën”.

ATMOSFERA – “Dua t’i falënderoj të gjithë për mikpritjen. Atmosfera është e mirë, kemi grup të mirë dhe stërvitjet po shkojnë super. Besoj se do të jemi komplet gati për fillimin e kampionatit”.

SYNIMET – “Të arrij objektivat e klubit, pastaj për karrierën time dua që të luaj pas 1-2 vitesh në ligat më të forta europiane”, u shpreh Ismaili.