Refik Halili ka ndërhyrë me një lidhje telefonike në emisionin e mbrëmshëm të Rubrikës Sportive, ku nuk ia përtoi aspak Klajdi Kolës. Presidenti i klubit të Tiranës u kap me ish gjyqtarin që në panel ishte në pozicionin e moviolistit.

Kreu i bardhebluve e akuzoi publikisht Kolën si një ish arbitër të “kapur”, që punonte përmes ndërhyrjeve gjatë kohës që ishte gjyqtar aktiv. Debati agravoi aq sa Halili theksoi se do “t’ia nxirrte të gjitha çfarë kishte bërë në kampionatin shqiptar”.

Më poshtë pjesë nga debati në panelin e emisionit “Rubrika Sportive”:

Kola: Të themi tani “marrin urdhra, s’marrin urdhra” pa fakte, kjo është e rëndë. Unë jam gjithmonë për pjesën e arbitrave, për pjesën teknike të rregullores në fushën e lojës. Pjesa tjetër pastaj duhen fakte që të vërtetohen, nuk merren me mendime.

Halili: Ju Klajdi kujtoni se unë i kam harruar se pse ike ti nga arbitrimi. Kush ishin ata njerëz që të vinin në shtëpi ty dhe të hapnin derën dhe të thoshin do ta bësh ndeshjen kështu?

Kola: Mos keni ngatërruar adresë…

Halili: Pse ke ikur nga arbitrimi ti mo, pse ke ikur?

Kola: Është shumë e ulët për një president të bëhen këto….

Halili: Do të vij në emision.

Kola: Nuk bëj diskutime me njerëz joteknikë unë, dua njerëz teknikë.

Halili: Do të vij në studio, por po i jap njëçikë përgatitjet Klajdit, të marrë masa. Të marrë ndeshjen në Durrës kur ne shkonin e luanim vjet. Dhe para se të loznim me Ballshin e na thanë Behiratçe do të dalë më të kuqe, Hasani me të verdhë, filani nuk do lozë. Po qesh ti se të vjen mirë, kujton ti se flemë gjumë neve. E dimë…

Kola: Është shumë e ulët që një president të bëjë këto deklarata.

Halili: Do ti nxjerr unë të gjitha çfarë kë bërë në kampionatin shqiptar.

Kola: Ky është problemi juaj, nuk është problemi im. Unë as nuk jap e as nuk heq penallti, thjesht citoj rregulloren në një studio sportive.