Tirana arriti të merrte një fitore të rëndësishme 2-0 ndaj Flamurtarit. Një 3 pikësh që i jep më shumë qetësi dhe i afron akoma më shumë bardheblutë me titullin kampion. Në fund të ndeshjes për “ABC Neës”, presidenti i skuadrës, Refik Halili u shpreh tepër i kënaqur me paraqitjen e lojtarëve e kryesisht atyre të rinjëve që janë pjesë e akademisë e dje shënuan dy gola. Në fund numri një i Tiranës foli edhe për një “dhuratë” nga Vllaznia sot për të ndalur Kukësin, pasi nëse një gjë e tillë do të ndodhi bardheblutë do të shpallen kampion matematikisht.
Mund të festojë Tirana tashmë? “Ju e patë vetë që çdo ndeshje është shumë e rëndësishme, e patë se çfarë bëhet, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm deri kur të shkojmë aty ku duhet të shkojmë, pra të marrim pikët që na duhen. Në përgjithësi jam i kënaqur. Gjatë këtyre ndeshjeve kemi pasur mungesa. Shpresoj që në Laç ta kemi ekipin e plotë dhe t’ia dalim me sukses”.
Golat nga dy lojtaët e akademisë? “Të gjithë i duan lojtarët e rinj. Unë e kam thënë shumë kohë përpara, që kam shumë qejf që gjithmonë në formacion të jenë katër lojtarë të akademisë, të rinj. Them se ajo po bëhet realitet, po shkojmë drejt asaj rruge. Shpresoj që ata t’i japin trajnerit rendimentin që pritet dhe që më pas ai t’i shfrytëzojë dhe të bëjë më të mirën për skuadrën”.
“Dhuratë” nga Vllaznia për të ndalur Kukësin? “Kush është ai që nuk i pret dhuratat? Kështu që shpresojmë që ne të marrim pikët që na duhen për të shkuar drejt titullit dhe për të gëzuar pas kaq vitesh. Le të presim e të shohim se çfarë do të ndodhë në Shkodër”, u shpreh Halili./newsport/