Ashtu siç kemi bërë të ditur pak ditë më parë, drejtuesit e Sportklub Vllaznia janë duke menduar të ndryshojnë edhe trajnerët e ekipeve të basketbollit.
Ideja është për të sjellë një frymë të re drejtimi, njëlloj siç bënë edhe me ekipet e volejbollit.
Natyrisht që drejtuesit e klubit kanë bërë planet edhe për gjetjen e trajnerëve të rinj për drejtimin e këtyrë ekipeve.
Kështu, në krye të ekipit të basketbollit të meshkujve të Vllaznisë është propozuar të jetë një emër shumë I njohur I këtij sporti, Refik Vorfa.
Sakaq, Bledar Gjeçaj që ka drejtuar ekipin e meshkujve pritet të kalojë në pankinën e femrave.
Propozimet e drejtuesve të klubit tashmë mësohet të jenë bërë dhe po ashtu, është marrë edhe aprovimi I trajnerëve në fjalë megjithatë, përpara se të zyrtarizohen duhet ardhur miratimi nga strukturat e sportit në Bashkinë Shkodër.
Natyrisht që ndryshime në pankinat e këtyre ekipeve kanë qenë të domosdoshme pas rezultateve që ato kanë arritur në sezonin e fundit.
Dhe zgjedhja e Refik Vorfës duket e goditur sepse kemi të bëjmë me një trajner me shumë përvojë dhe mbase nën drejtimin e tij, do të niste një ecuri ndryshe e ekipit të meshkujve të Vllaznisë.
Sakaq disi më problematike është situata tek ekipi I femrave ku ka pak vajza në ekipin e parë por mbase ardhja e trajnerit Gjeçaj në krye të tij, do të bënte një kombinim të tyre me vajzat e ekipit të të rejave që siç dihet janë shpallur kampione të Shqipërisë.
Gjithsesi këto lëvizje nuk mund të konsiderohen zyrtare përderisa nuk është marrë aprovimi përfundimtar për to.
www.shkodrasport.com