Opinion nga Gjergj KOLA
Tashmë është fakt i kryer. Në zgjedhjet e ardhshme të pushtetit lokal, do të kemi një ndarje të re territoriale. Sipas saj, duke iu referuar Shkodrës, Bashkia e këtij qyteti do të përfshijë tashmë një territor shumë më të madh, duke nisur nga Dukagjini dhe duke përfunduar në Velipojë.
Ky opinion ka të bëjë pikërisht me këtë të fundit. Komuna e deritanishme e Velipojës i “ka ngrirë” krejtësisht marëdhëniet me ekipin e futbollit të kësaj zone, Adën. Ky institucion i qeverisjes lokale, nuk ka akorduar asnjë lekë për ekipin e futbollit që militon në kategorinë e parë. Ndodh kështu ngaqë marëdhëniet në mes kryetarit të saj dhe presidentit aktual të klubit, nuk kanë qenë aspak të mira. Mbase edhe për arsye politike ngaqë janë kundërshtarë. Megjithatë, ai që e ka pësuar ka qenë ekipi i futbollit. Pavarësisht kësaj, Ada ka marrë pjesë në kampionat dhe ka arritur të mbijetojë. Por çfarë do të ndodhë pas zgjedhjeve të verës së ardhshme? Këtë askush nuk mund të thotë. Velipoja, nisur nga resursi që ka me plazhin e mrekullueshëm, mbledh jo pak të ardhura, rreth 800- 900 milionë lekë vetëm për periudhën e verës. Për futbollin nuk ka hedhur qoftë edhe një lekë. Pak muaj më vonë, ky plazh do të kalojë në administrimin e Bashkisë Shkodër. Kryetari i saj i ardhshëm nuk do ketë për detyrë të mendojë vetëm për Vllazninë por edhe për Adën. Prandaj ka shpresa për një ndryshim të situatës. Ada mbetet me shpresë. Ideja për të krijuar ekipin B të Vllaznisë tashmë duket e pavend sepse kjo Bashki do të ketë në administrimin e saj tani dy klube futbolli dhe duke i bashkërenduar mirë gjërat, mund të ketë një ecuri të mirë të punëve. Fondet do jenë, e rëndësishme është të jetë gatishmëria për ta vënë në funksionin e duhur klubin e Adës. Për këtë arsye, tifozë, drejtues e futbollistë të skuadrës velipojake e kanë pritur me interes ndarjen e re territoriale. Por a do përfitojnë vërtetë prej saj? Të presim!