Pas barazimit të dy javëve më parë në ndeshjen direkte mes tyre, u mendua se Ada tashmë do ishte kampionia e Shqipërisë në futbollin e femrave edhe për këtë edicion ngaqë e ruajti epërsinë ndaj dy pikëve ndaj rivalit direkt të saj, Juban Danjës. Por drejtuesit e kësaj të fundit deshën të kapen në një pikë tjetër, këtë herë tek rregullorja. Arsyeja ka qenë tërheqja e ekipit Tirana AS nga kampionati. Meqenëse ndaj kësaj skuadre, Juban Danja kishte barazuar 1-1 në fazën e parë, drejtuesit e këtij klubit mendonin që nisur edhe nga rregulloret përkatëse, kur një ekip tërhiqet nga gara, të gjithë ndeshjet e saj fshihen dhe pikët që ka në renditje zerohen. Në kushte të tilla, Ada dhe Juban Danja do të barazoheshin sërish me pikë dhe për të shpallur ekipin kampion të këtij sezoni, duhej të luhej edhe një ndeshje tjetër. Duke e logjikuar në këtë mënyrë, drejtuesit e Juban Danjës bënë edhe një kërkesë zyrtare në FSHF, pikërisht në Komisionin e Disiplinës për këtë çështje, për t’i dhënë të drejtë në pretendimin e tyre. Ky Komision, në mbledhjen e javës së kaluar nuk e mori në shqyrtim ndërsa në mbledhjen e sotme, e ka refuzuar atë. Kjo ka qenë pika 11) e vendimeve të marra sot prej tij teksa shprehimisht thuhet:
11. Refuzimi i kërkesës së ekipit “Juban Danja“ si të pabazuar në rregulloret në fuqi të FSHF-së.
Pra, rregullorja nuk e përfshin këtë gjë dhe në kushte të tilla, Ada vazhdon të ruajë vendin e parë në renditje dhe është shumë pranë shpalljes kampion. Këtë gjë ajo do ta zyrtarizojë pas dy ndeshjeve të fundit që i kanë mbetur për të luajtur, të shtunën ndaj ekipit The Door dhe në javën e fundit ndaj Dardanisë, dy ndeshje këto praktikisht të lehta për t’u fituar dhe në këtë mënyrë vajzat velipojake po shkojnë kështu drejt titullit të tretë kampion rradhazi.
www.shkodrasport.com