Merkato e jaanrit ka parë si protagonist edhe një talent shqiptar në Angli, mesfushorin Armando Dobra, i cili së fundmi ka veshur fanellën e përfaqësueses U19 të Shqipërisë. Futbollisti i talentuar ka lënë gjurmë në radhët e skuadrave të moshave të Ipsuiç dhe sipas vetë trajnerit Pol Lambert, ai ishte shumë pranë kalimit te ekipi i parë.
Por gjatë janarit, Dobra mund të ndërronte skuadër dhe të kalonte nga ajo e League One, në një të Premier Ligës. Sipas mediave angleze, në adresë të klubit të tij kanë mbërritur oferta konkrete nga skuadra e Brajton, e cila gjendet në elitën e futbollit anglez.
Kjo e fundit kishte kontaktuar disa herë me Ipsuiç, duke rritur edhe vlerësimin për lojtarin herë pas here, por pa bindur skuadrën aktuale të Dobrës që ta linte të largohej,.
Oferta e fundit ka qenë prej rreth 500 mijë paund, por klubi bëri të qartë se vlerësonte shumë më tepër mesfushorin, edhe pse ai është vetëm 18-vjeçar. Ndaj pritet që futbollisti të vazhdojë të jetë pjesë e Ipsuiç dhe të ketë shanset e tij me skuadrën e parë, për të vazhduar të rritet e sidomos për ta ndihmuar që të kthehet përsëri në Championship. /vipsport/