Gilman Lika është shndërruar në heroin e Vllaznisë. Kapiteni i kuqebluve po udhëheq ekipin në këtë moment të vështirë dhe me golat e tij po e ndihmon që të largojë krizën. Në një deklaratë për “Panorama Sport”, mesfushori shkodran analizon situatën aktuale dhe tregon objektivat që ka klubi në Kupën e Shqipërisë. Nesër do të luhet një ndeshje vendimtare në këtë kompeticion, ku Vllaznia do të përballet me Tiranën.
Lika vlerëson kundërshtarin, por thotë se shkodranët do të kërkojnë patjetër fitoren për të vazhduar rrugëtimin në Kupën e Shqipërisë. Një rrugë, që mund ta dërgojë klubin në Kupat e Europës. “Vllaznia duhet të luftojë për të fituar Kupën e Shqipërisë. Ky është objektivi që kemi të gjithë lojtarët e Vllaznisë, por dhe drejtuesit e klubit. Ne duhet të provojmë të shkojmë sa më larg të jetë e mundur në këtë kompeticion dhe, pse jo, të triumfojmë. Është një rrugë e mirë, që mund të na çojë në Europë. Prandaj, ne duhet të luajmë për fitore”, tha fillimisht Lika.
Gilman Lika kujton edhe një herë tjetër atë që ndodhi në javën e fundit të Superiores në vitin e kaluar, kur ishte pjesë e Tiranës dhe refuzoi të luante për Vllazninë, ashtu siç bëri Bakaj. Ky i fundit ishte pjesë e Vllaznisë dhe nuk zbriti në fushë për të fituar Tiranën.Këtë herë, Lika thotë se do të zbresë në fushë dhe se gjërat janë shumë ndryshe nga ajo ndeshje. Ai kërkon ta ndihmojë Vllazninë të arrijë një rezultat pozitiv.
“Normalisht që do të luaj në ndeshjen me Tiranën. Këtë herë gjërat janë ndryshe. Si një ish i kësaj skuadre, dua të vlerësoj maksimalisht Tiranën.Pavarësisht se është në Kategorinë e Parë, është një ekip që ka shumë kualitete dhe meriton të luajë në Superiore. Ne do kërkojmë të sigurojmë kualifikimin që në ndeshjen e parë. Kjo nuk do të jetë e lehtë, por duhet të bëjmë maksimumin në fushën e lojës për të treguar se situata aktuale që po kalojmë në kampionat nuk është rastësi, por fryt i punës që po bëhet nga të gjithë”, përfundoi Lika.
© shkodrasport.com