Dueli kundër Anglisë është mjaft i vështirë për Shqipërinë dhe këtë e dinë të gjithë. Gjithsesi në ndeshje të tilla motivimi është maksimal dhe futbollistët kuqezi janë gati për këtë duel. Trajneri i kuqezinjve, Edy Reja, doli sot para mediave dhe tha:
“Kemi ardhur të bëjmë një ndeshje të mirë. E dimë që do të jetë e vështirë. Janë skuadër e mirë dhe kanë kualitete. Duhet të bëjmë ndeshjen perfektë. Duam të bëjmë një paraqitje të mirë dhe të provojmë të marrim një rezultat të mirë”.
“Uroj shumë që fati të jetë në anën tonë nesër dhe të marrim një rezultat pozitiv. Italia fitoi Europianin këtu dhe hapi rrugën për më shumë suksese. Uroj të jetë një shans i mirë edhe për ne. Kam menduar se Anglia ishte favorite, por më duhet ta them që Italia e meritoi trofeun”.
“I dimë vlerat e Anglisë. Duhet të kemi ekuilibër dhe kemi punuar shumë në këtë aspekt. Shqipëria nuk do të presë gjithë kohën, duhet të krijojmë dhe do e provojmë. Po të mos humbnim me Poloninë do të ishim në kushte të tjera, do kishim më shumë shanse.
Anglia është favorite, por duhet personalitet nga ana jonë. Do luajmë pa frikë, fusha është njëlloj për të gjithë. Duhet të bëjmë ndeshjen perfektë, të mos gabojmë si më parë. Duhet të jemi perfekt të gjithë, titullarët dhe ata që do të futem në fushë”.
“Nuk mund ta them sot se kush luan, do ua them lojtarëve para ndeshjes. Dyshime ka gjithmonë në lidhje me formacion. E sigurt është që do të jetë formacioni më i mirë në fushë. Do jetë e vështirë të bëj zgjedhjet e mia.
Brojën do e shohim dhe do e vlerësojmë. Është bashkuar me ekipin në hotel, ka pasur probleme me kaviljen. Nuk do jetë titullar, shpresojmë të jetë në gjendje të luajë disa minuta kundër Anglisë”.
“Nuk u stërvitëm në Wembley sepse ishte larg. Sa i takon kapitenit, nuk do të jetë Cikalleshi. Mendova ta ndryshoja këtë herë dhe të nxirrja një lojtarë tjetër në konferencë”.
“Wembley është tempull i futbollit. Jam mik me Capellon dhe më ka thënë se çfarë përfaqëson ai stadium. Mancini fitoi Europianin aty, Capello ka shënuar. Shpresojmë, që siç thonë, nuk ka dy pa tre dhe t’ia dal edhe unë si italian. Mrekullitë ndodhin në futboll”, tha në mbyllje Reja. / oversport.tv