Shqipëria do të luajë nesër sfidën e parë miqësore për këtë vit. Kuqezinjtë do të përballen me Spanjën në “RCDE Stadium” me ndeshjen që do të startojë në orën 19:45.

Pas 4 ditësh stërvitje, trajneri Reja duket se ka ideuar formacionin që do të zbresë në fushë për këtë takim. Surpriza e madhe e teknikut italian është lënia në stol e Kristjan Asllanit.

Mesfushori i talentuar që po shkëlqen te Empoli në Serie A u grumbullua për herë të parë për këto ndeshje miqësore, por duket se do ta nisë nga stoli takimin ndaj Spanjës. Reja ka preferuar Qazim Laçin, ndërsa në sulm, Cikalleshi ka fituar balotazhin me Uzunin dhe Manajn.

Shqipëria: Berisha, Balliu, Ismajli, Kumbulla, Gjimshiti, Hysaj, Gjasula, Bare, Laçi, Cikalleshi, Broja.