Rejan Alivoda, tashmë pjesë e futbollit të Emirateve të Bashkuara Arabe në radhët e Itihad Kalba, ka folur së fundmi ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Mesfushori ka rrëfyer për këtë eksperiencë dhe diferencat me Superligën. Ndër të tjera shkodrani është ndalur edhe te kampionati shqiptar dhe veçanërisht Vllaznia. Sipas ish-futbollistit të kuqebluve, skuadra këtë sezon, pavarësisht luhatjeve, ka shanse të mëdha për fitimin e titullit kampion.
Rejan, si po shkon ky sezon në Emirate për ju?
Mendoj se ka qenë një sezon përshtatjeje, sepse nuk është aspak një kampionat i lehtë, siç mund ta mendojë dikush. Ka shumë konkurrencë, me ekipe shumë mirë të përgatitura. Kam qenë titullar thuajse gjatë gjithë kohës dhe ndihem shumë mirë. Kam besimin e të gjithëve, por patjetër duhet të bëj më mirë dhe të përmirësohem më shumë çdo herë.
Cila është diferenca me kampionatin shqiptar?
Këtu ka një ritëm tjetër, është futboll më i shpejtë dhe dinamik. Në Shqipëri ndoshta është një futboll më fizik dhe me përplasje, ndërsa në Emirate preferohet një stil më elegant i futbollit. Kjo, edhe për shkak të trajnerëve të shumtë të huaj që kanë ardhur dhe kanë dhënë eksperiencën e tyre në futbollin e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Po Vllaznia në veçanti?
Vllazninë e ndjek çdo herë, sepse është ekipi i zemrës së çdo shkodrani. Skuadra është brenda objektivave, tashmë me sigurimin thuajse 100% të Europës. Po ashtu, ekipi ka kaluar në gjysmëfinale të Kupës dhe pretendente në kampionat. Pavarësisht se gjithmonë ka vend për të bërë më mirë, kuqeblutë më duken në rrugën e duhur dhe uroj të kenë suksesin në përfundim!