Rejan Alivoda po përshtatet nga java në javë në kampionatin e Emirateve të Bashkuara Arabe, ku u transferua në verë tek ekipi Ittihad Kalba. 21-vjeçari, në një intervistë për “Panorama Sport” ka folur për këtë etapë të re në karrierën e tij.
“Deri më tani jam i kënaqur me këtë eksperiencë të re në Dubai. Jam ndoshta ende pak i emocionuar, sepse është diçka e re për mua. Kulturë dhe mënyrë futbolli tjetër. Por jam i kënaqur me mikpritjen nga klubi, trajnerët e po ashtu futbollistët. Uroj që çdo gjë të vijojë në këtë mënyrë!
Unë kam zhvilluar tri ndeshje me skuadrën deri tani. Rritja po vjen graduale, sepse minutat i kam marrë në pjesët e dyta. Çdo ditë po përshtatem me futbollin këtu dhe kushtet atmosferike, që nuk janë si në Europë. Futbolli është me kualitet, sepse ka lojtarë që kanë luajtur në kampionate shumë të forta në Europë. Shpresoj shumë të mësoj nga këta lojtarë.
Momentalisht jam i përqendruar këtu tek skuadra aktuale, dua të jem titullar dhe të jap më të mirën time. Pastaj të ardhmes nuk i dihet. Nëse unë do të luaj mirë, patjetër që mund të vijnë edhe oferta të tjera në të ardhmen”- është shprehur Alivoda.