Mesfushori shkodran Rejan Alivoda do të aktivizohet nga minuta e parë pasditën e sotme në ndeshjen e Kupës kundër Egnatias. Një gjë të tillë e ka pohuar edhe vetë trajneri maqedonas Goçe Sedloski në konferencën për shtyp ditën e djeshme, teksa i pyetur për këtë rast ka bërë me dije se e ka në plan ta aktivizojë Alivodën nga minuta e parë ndaj Egnatias sot për Kupë.

Mesfushori 19-vjeçar, i ardhur nga Akademia e Vllaznisë, u aktivizua që në ndeshjet e para të kampionatit të sivjetshëm pas një dëmtimi të Boshnjakut dhe që prej asaj dite, ai nuk doli më prej formacionit të parë. Një gjë të tillë sipas specialistëve të futbollit, ai e mori me plot meritë falë paraqitjeve të tij pozitive nga ndeshja në ndeshje, duke u konsideruar edhe si një ardhme e futbollit shkodran dhe më gjërë.

Megjithatë, me ardhjen në drejtim të trajnerit maqedonas Goçe Sedloski, Alivoda nuk u aktivizua më nga minuta e parë. Vetë Sedloski, i pyetur nga specialistët e futbollit për një lëvizje të tillë, pati sqaruar se po aplikon një mënyrë loje tjetër, duke mos e pasur në plane momentalisht Alivodën dhe duke shtuar se në plan të parë për atë pozicion ka Jonuzin, Boshnjakun dhe Markun.

Megjithatë, ditën e sotme trajneri Goçe Sedloski ka vendosur t’i japë besimin e duhur Alivodës që të jetë në formacionin kuqeblu nga minuta e parë. 19-vjeçari shkodran pritet të zëvëndësojë në mesfushë kosovarin Lorik Boshnjaku dhe ky pritet të jetë një rast shumë i mirë për Alivodën për të treguar vlerat e tij, por në të njëjtën kohë edhe një provë serioze, pasi reparti në fjalë kërkon vërtetë shumë punë, volum dhe energji për të përballuar një ndeshje të vështirë si kjo e sotshmja me Egnatian.

Me këtë lëvizje, por edhe të tjera që trajneri maqedonas i Vllaznisë, Goçe Sedloski, ka vendosur të aplikojë për sfidën e sotme me Egnatian, pritet të kërkohet edhe rezultati pozitiv në ndeshjen e parë gjysëmfinale të Kupës. Gjithsesi, saktësisht duhet pritur deri rreth një orë përpara ndeshjes, atëherë kur stafi i Vllaznisë do të dorëzojë protokollin për të mësuar zyrtarisht formacionin anti-Egnatia.
Maringlen ZHIVANI