Në fund të janarit shkuam 100 mijë klikime në 4 muaj. Sigurisht që ishim të kënaqur. Megjithatë parashikonimi një “fluks” të madh klikimesh dhe patëm të drejtë. Vetëm në muajt shkurt dhe mars (deri më datë 2 prill), pra për 2 muaj, patëm edhe 100 mijë klikime të tjerë në faqen tonë të gazetës online www.shkodrasport.com. Që do të thotë se miqtë tanë, ata që duan të informohen për çfarë ndodh në sportin shkodran dhe atë verior, mjafton të klikojnë tek gazeta jonë dhe kanë se çfarë të mësojnë. Histori, aktualitet, lajme, personazhe, foto nga më të veçantat dhe gjithçka tjetër që duhet për një gazetari të mirëfilltë. Ne sigurisht që jemi shumë të kënaqur me këtë ecuri. Premtojmë edhe më shumë për të ardhmen. Por para se të shkojmë tek e ardhmja, do ndalemi pak tek 200 mijë klikimet aktuale të gazetës tonë online.
Natyrisht që për këtë arritje të www.shkodrasport.com, duam t’iu falenderojmë të gjithë ju që keni zgjedhur këtë faqe për t’u informuar dhe që na keni besuar në punën tonë. Patjetër që nuk do të ndalemi asnjëherë, përkundrazi do të vazhdojmë ta rrisim ritmin, të jemi gjithnjë në kërkim të profesionalizmit, drejtësisë, të informojmë saktë për të gjitha sportet e sportistët e Shkodrës kudo në botë që janë. Kjo na kënaq dhe na bën që çdo ditë të jemi pranë jush për të kontribuar në rritjen e cilësisë së sporteve në Shkodër, me të vetmen mënyrë për t’i thënë gjërat ashtu siç janë, si e vetmja rrugë për të gjetur zgjidhje. Unë personalisht, gjej rastin të falenderoj stafin e kësaj gazete, gazetarët Mejdan Zhivani, Admir Uruçi, Senad Nikshiqi e Anton Zalli por në veçanti dy njerëzit me të cilët bashkëpunimi ka qenë më i afërt që nga momenti i krijimit të kësaj gazete online. E kam fjalë për webmasterin Terenc Pepa pa kujdesin e të cilit kjo faqe nuk do ekzistonte dhe të fotografit Gjon Gjeka që ka një kontribut të jashtëzakonshëm jo vetëm me fotot e tij por edhe me punën që bën për këtë gazetë. I gjithë ky staf ju premton që do të bëjmë më të mirën në këtë aspekt, ndaj vazhdoni të na besoni në mënyrë që të rritemi shumë më shumë e me ndihmën tuaj të bëhemi faktor i rëndësishëm për sportet në Shkodër. Gjithnjë presim çdo kritikë tuajën, sugjerim apo gjithçka tjetër që mund të jetë e vlefshme në punën tonë. Ju ftojmë të mos ndaheni dhe përzemërsisht nga i gjithë stafi i www.shkodrasport.com keni një falenderim të madh. FALEMINDERIT
Kryeredaktori
Gjergj KOLA