Vllaznia u rikthye tek fitorja në javën e 28-të të Superiores duke mposhtur Erzenin në shifrat 3-1. Një rezultat që patjetër duhej në kampin shkodran, por edhe loja e treguar ishte e një niveli shumë të kënaqshëm nga ana e shkodranëve. Dora e trajnerit Sedloski duket se u ndie menjëherë. Por tashmë detyra tek shkodranët lind për të krijuar vazhdimësi.
Dhe kundërshtari i rradhës në kampionat nuk është aspak komod për Vllazninë. Kuqeblutë udhëtojnë drejt Kukësit në fundjavë për tu ndeshur me vendasit, të cilët ndodhen në pozita të vështira në kampionat. Ku verilindorët këtë sezon po luftojnë për mbijetesën dhe dueli do jetë delikat. Megjithatë Kukësi është ekipi ndaj të cilit Vllaznia ka një rekord fitoresh në këtë kampionat.
9 herë kampionët e vendit kanë fituar të 3 duelet e 3 fazave të kaluara në këtë edicion. Kështu shkodranët kanë fituar në fazën e parë me rezultatin 2-1 në “Loro Boriçi”. Po ashtu në Kukës në ndeshjen e fazës së dytë me rezultatin 0-1, ku vendosi një gol i Hakajt. Faza e tretë po ashtu shikoi si triumfatorë shkodranët me rezultatin 2-0.
Pra 9 pikë nga 9 të mundshme ndaj kuksianëve, të cilët janë preja e preferuar e kuqebluve. E tashmë tek Vllaznia patjetër që duan të bëjnë 4 fitore ndaj Kukësit këtë edicion dhe patjetër që mundësitë janë. Pavarësisht se verilindorët janë në vështirësi, ata mbesin një ekip me cilësi që mund ti hapë punë çdo kundërshtari në Superiore.
Endri ÇINARI