Ka ndodhur sot në Kamëz teksa futbollistja kosovare Advije Veliu që luan për ekipin e “Juban Danjës” në futboll për femra, ka shënuar plot 12 gola në një ndeshje kampionati. E ka bërë këtë ndaj Dardanisë, skuadër të cilën e kanë mundur në shifrat shumë të thella 16-0. Fakti që Veliu ka shënuar 3/4 e këtyre golave, tregon se ajo mbetet pika më e fortë e skuadrës dhe po ashtu, është edhe golashënuesja më e mirë e kampionatit tashmë me 34 gola të shënuar. 4 golat e tjerë në ndeshjen e sotme kanë patur për autore kapitenen Emanuela Jaku, Alma Hilajn dhe Klaudia Rrotanin. Me fitoren e sotme, Juban Danja është ngjitur në kuotën e 23 pikëve, po aq sa edhe Tirana AS duke ndarë kështu vendin e dytë dhe të tretë me njëra-tjetrën veçse ekipi shkodran udhëheq me golaverazh 58-8 ndaj ekipit kryeqytetas që e ka golaverazhin 50-9. Pavarësisht gabimit të bërë në ndeshjen me ekipin The Door, vajzat e “Juban Danjes” kanë sërish pretendimet e tyre megjithatë për titullin kampion tashmë duket se çdo gjë ka përfunduar sepse Ada e Velipojës me epërsinë që ka në renditje, nuk do ta lëshojë vendin e parë duke qenë shumë pranë rishpalljes kampion për të dytin vit rradhazi.

www.shkodrasport.com