Arne Slot është bërë trajneri i parë holandez që fiton Ligën Premier. Trajneri 46-vjeçar e arriti këtë me Liverpoolin , duke siguruar titullin kur kanë mbetur edhe katër xhiro deri në fund. 

Emra të njohur si Louis van Gaal, Guus Hiddink, Ronald Koeman dhe Erik ten Hag, drejtuan klube në Ligën Premier, por nuk e arritën trofeun e më të mirit. 

Mbrojtësi i Liverpoolit, Virgil van Dijk, u bë gjithashtu lojtari i parë holandez që fitoi Ligën Premier si kapiten skuadre. Ndikimi i holandezëve ishte i madh këtë sezon, pasi që te Reds përveç kapitenit, luajnë edhe Cody Gakpo dhe Ryan Gravenberch. 

Slot mori drejtimin e skuadrës në verën e vitit 2024. Ai u bë trajneri i gjashtë që fitoi titullin e Ligës Premier në sezonin e tij të parë në klub. 

Më parë, kjo ishte realizuar nga Jose Mourinho, Carlo Ancelotti, Antonio Conte, që të gjithë me Chelsea Manuel Pellegrini me Manchester Cityn dhe Claudio Ranieri me Leicester Cityn. /Telegrafi/