Një prej rekordeve më të jashtëzakonshëm të Spanjës mori fund pas 136 ndeshjeve përkundër fitores ndaj Kroacisë. “La Roja” e nisën kampanjën e tyre të Kampionatit Evropian 2024 në mënyrë perfekte duke marrë një fitore me rezultat 3-0 në Berlin.
Alvaro Morata, Fabian Ruiz dhe Dani Carvajal ishin ata që shënuan golat që i sollën fitoren e parë Spanjës. Spanja është gjithmonë në mesin e favoritëve për Evropian, dhe në vitin 2021 ishin kualifikuar në gjysmëfinale, aty ku pësuan ndaj Italisë pas ekzekutimit të penalltive.
Por çuditërisht, për herë të parë pas 136 ndeshjeve zyrtare, Spanja pati më pak posedim të topit se sa kundërshtari i tyre. Sipas statistikave të ndeshjes, Spanja kishte 47 për qind të posedimit të topit në krahasim me Kroacinë që pati 53 për qind.
Hera e fundit kur kjo kishte ndodhur ishte në finale të Euro 2008, kur Spanja e kishte mposhtur Gjermaninë falë golit të shënuar nga Fernando Torres. Sidoqoftë, stili i tyre i lojës ka ndryshuar tashmë nën urdhrat e Luis De La Fuentes, i cili po i jep përparësi krahëve të sulmit që përbëhen nga Lamine Yamal dhe Nico Williams, duke shfrytëzuar shpejtësinë e tyre.
Kjo dyshe ishte sërish në qendër të vëmendjes ndaj kroatëve, teksa Yamal bëri historinë si lojtari më i ri që luan në Kampionatin Evropian (16 vjet e 338 ditë). /Telegrafi/