Seria e pamposhtur e Bayer Leverkusen vazhdon dhe me fitoren 2-1 sonte tani shkojne +11 pikë në krye të Bundesligës. Bayern Munich duhet te pergjigjet nese nuk deshiron qe te thote lamtumire qe ne mars te titulli kampion edhe pse ecuria e “aspirinave” duket e jashtezakonshme aq sa sonte ka ardhur nje rekord i ri historik ne Gjermani.
97 gola të shënuar (!) në 33 ndeshje në të gjitha garat, është një rekord për klubin gjerman por gjithashtu 33 ndeshje radhazi pa pesuar humbje ne te gjitha kompeticionet, duke parakaluar Bayern Munich qe ishte ndalur ne 32 nen drejtimin e Hansi Flick. Dhe shorti i Ligës së Evropës e vendos Bayer të përballet me Qarabag.
Bayer Leverkusen nuk gabon në shtëpi dhe mposht Mainz 05 me rezultatin 2-1. “Aspirinat” e nisën ndeshjen në mënyrë të përkryer teksa ishte Granit Xhaka që realizoi në minutën e tretë. Mesfushori me origjinë shqiptare realizoi një gol mjaft të bukur nga distanca me topin që mori një trajektore të pakapshme për portierin kundërshtar.
Për t’u theksuar edhe festimi i Xhakës që u “shtir” sikur u dëmtua, për të zbuluar më pas se e gjitha ishte vetëm një mënyrë e të festuarit. Për Xhakën ishte edhe goli i parë me fanellën e Bayer Leverkusen.
Gjithsesi, miqtë reaguan shpejt dhe pas vetëm pesë minutash rikthyen baraspeshën me anë të Kohr që realizoi me kokë. Me shifrat e barabarta 1-1 u mbyll pjesa e parë.
Në fraksionin e dytë, skuadra e drejtuar nga trajneri Xabi Alonso ishte më këmbëngulëse në tentativat për golin e dytë. Gol i cili mbërriti në minutën e 68 me Andrich. Mesfushori goditi nga distanca e largët, një goditje qëndrore, por që gjeti të papërgatitur portierin Zentner që gaboi rëndë.
Në minutën e 79, llogaritë e miqve morën një tjetër goditje pasi Ngankam la të tijtë me 10 lojtarë. Një ndërhyrje e gabuar ndaj Granit Xhakës nuk i shpëtoi sistemit VAR, duke detyruar arbitrin kryesor ta ndëshkonte me kartonin e kuq.
Përfundimisht ndeshja u mbyll me rezultatin 2-1 në favor të Leverkusen, me “aspirinat” që “arratisen” në krye të Bundesliga-s me 61 pikë, momentalisht 11 më shumë se Bayern Munich i vendit të dytë. Sakaq, Mainz renditet në vendin e 17 me vetëm 15 pikë./telesport/