Agim Canaj është një emër i njohur i trajningut shqiptar, pasi ka drejtuar në të “katër anët” e vendit. Canaj ka kontribuar për Flamurtarin, por spikati si lojtar te Dinamo. Canaj ka drejtuar disa ekipe, duke filluar që nga Flamurtari, Dinamo, Bylisi, Lushnja, Skënderbeu, Besa, Shkumbini, Vllaznia apo Tërbuni, Gramozi e Kukësi.

Canaj është padyshim një nga trajnerët rekordmen në futbollin shqiptar, sepse ka drejtuar 11 ekipe të ndryshme, në elite, si rrallë nga kolegët e tij. Në një intervistë për “Vipsport.al”, Canaj flet për ndërprerjen e kampionatit, sa ndikon kjo tek futbollistët dhe synimet sezonale të skuadrave dhe shpreson që gara të vazhdojë, në të mirë të futbollit…

-Profesor Canaj, “Shqipëria pa futboll”, si tingëllon kjo shprehje për një ish-sportist dhe një trajner?

Të them të drejtën këto janë të papriturat e jetës. Jo vetëm Shqipëria, por për shkak të virusit është paralizuar thuasje pjesa më e madhe e Botës! Jemi në një situatë mjaft delikate, ku më e rëndëisshmja është që ta kalojmë sa më shpejjt, me sa më pak kosto në jetë dhe në shëndet njerëzish.

-Nisur edhe nga eksperienca juaj, sa ndikon tek ekipet kjo ndërprerje?

Shpresoj në radhë të parë që të jetë sa më e shkurtër dhe t’i rikthehemi normalitetit. Kjo është në dobi të të gjithëve. Pastaj një ndërprerje tashmë që gara është në kulmin e vetë më duket jashtë logjike. Do të ndikojë shumë mendoj unë…

-Ju keni eksperiencë të gjatë në futboll, si lojtarë dhe trajner, a ka ndodhur më parë?

Jo, kurrë kështu. Hera e parë në jetën time që e dëgjoj, është fenomeni i veçantë që ka ngrirë futbolin e tërë Europës, duke bërë që klubet të marrin kosto të mëdha, por jo vetëm. Jeta mbi të gjitha është pezulluar, për të mos thënë që në Itali po bëhet nami në jetë njerëzish.

-Nëse në fillim të prillit rifillon kampionati, si i gjen ekipet?

Gjykoj se ekipet nuk do të kenë ritmin që kishin, e madje veç anës fizike edhe ana psikologjike ndikon shumë sepse është një traumë. Tashmë ishte kulmi i sezonit dhe pika më kyçe, pasi si të thuash gara po jepte verdiktet e saj. Nuk mendoj se do të ketë më bukuri gara njësoj sikur të vijonte pa rënë virusi.

-Si është më mirë, nëse vazhodn gjatë të ndërpritet dhe të ketë verdikte apo?

Jo, nuk është normale, shpresoj që të rikthehte futbolli i luajtur sa më shpejt, pastaj normalisht ekipet duan 2-3 javë që të kapin ritmin duhet gjetur një rrugë. Dëgjova që gara mund të vijojë deri në 31 qershor. Ok është zgjidhje. Unë nga eksperienca që kam besoj se FSHF do të unifikojë edhe rastet se si do të rrjedhin në Europë dhe besoj se do të jetë një vendim që të gjithë do t’i kënaqë në të tilla kushte pamundësie për të vazhduar.

-Canaj pse vendosët që të qendronit pushim këtë sezon sepse lëvizjet e pankinave kanë qenë të shumta?

Shiko nuk mund të marrësh një ekip në mesin e garës, sepse është shumë e vështirë dhe aq më tepër kur ke shumë pak përë të bërë duke qenë se tjetërkush ka bërë merkaton. Pastaj unë kam parimet e mia në futbooll dhe në trajnim. Me ekipet që e kam nisur çdo gjë vetë që në konturimin e skuadrës kam pasur suksese. Nuk më kanë munguar ofertat për të qenë i sinqertë, kam pasur nga 2-3 klube, por iu thash arsyet pak më lartë…/vipsport/