Rekordmeni i titujve kampionë në boks- Artur Gavoçi është rikthyer sërish “në skenë”. Prej disa kohësh është pjesë e stafit teknik të ekipit të Vllaznisë dhe padyshim që me eksperiencën shumëvjeçare në këtë sport, ka se çfarë t’i transmetojë brezit të ri. “Zëvendësuesi i Gavoçit” në peshat e lehta është aktualisht Vuksan Guri. Ky i fundit është vetëm 21 vjeç dhe ka fituar deri më tani 2 tituj kampionë me të rriturit. E ardhmja e tij duket e sigurtë megjithatë trajneri Gavoçi ka një sugjerim për të por edhe për brezin e ri të boksierëve për të cilët thotë:

“Vuksan Guri, kampioni aktual i Vllaznisë në peshat ku kam konkurruar edhe unë, me shumë mundësi mund të jetë pasardhësi im. Pse të mos jetë kështu. Djalë i ri është, i talentuar është dhe nëse vazhdon të punojë fort, mund t’ia dalë të vazhdojë këtë rrugë. Konkurrencën boksierët aktualë duhet ta kenë me Europën jo me kundërshtarët e tyre në Shqipëri. Nuk duhet të kënaqen me pak. Në boksin shqiptar aktualisht nuk ka konkurrencë. Po e krahasoj me periudhën tonë, kur ne kemi bërë sport. Në kohën tonë, është dashur të mundim tre vetë në palestrën tonë njëherë, për të fituar njëherë të drejtën për të marrë pjesë në kampionat. Konkurrenca brenda përbrenda ekipit ka qenë shumë e fortë dhe kur shkonim në kampionat, e kishim të lehtë pastaj të fitonim ndaj kundërshtarëve tanë. Në kohën tonë ka patur më shumë pasion ndërsa sot të rinjtë mbase shohin më shumë nga paratë dhe prandaj nuk shfaqin shumë interes për këtë sport. Sot numri i boksierëve është i reduktuar ndërsa para 10-15 vitesh, ishim në palestër deri në 30 vetë në stërvitje. Gjithsesi sot ka më shumë cilësi dhe sportistët aktualë janë më të talentuar por duhet të vazhdojnë të punojnë fort. Ata duhet të maten me Europën e Botën sepse të gjitha mundësitë i kanë”.
© shkodrasport.com