Vendosi të qëndronte tek Vllaznia edhe në këtë sezon dhe thotë se ndjehet mirë në rradhët e saj. Mbrojtësi lezhjan Renato Malota po stërvitet me intensitet çdo ditë në Ohër bashkë me skuadrën dhe në një prononcim të tij për “RTSH Sport” shprehet i kënaqur me mënyrën si po shkojnë gjërat.

“Faza përgatitore po kalon mjaft mirë sepse kushtet janë shumë të mira, edhe klima po ashtu dhe çdo gjë po shkon në mënyrën e duhur.
Bërthama e ekipit ka qenë dhe me ardhjet e reja po ambjentohemi dhe po e marrim veten, megjithatë secili lojtar që vjen e ka të nevojshme një periudhë ambjentimi dhe të marrë formën e tij fizike. Gjithsesi, mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe mendoj se po krijojmë një Vllazni të mirë.

Me trajnerin po përshtatemi dita- ditës, është një trajner shumë pozitiv, na pëlqen mënyra si stërvitemi dhe po ashtu edhe filozofia e lojës së tij. Mendoj se do të bëjmë mirë me këtë staf që kemi.

Unë jam përshtatur më së miri me ekipin sepse është viti i dytë që luaj me Vllazninë dhe mund të them se jam ndër lojtarët e vjetër të ekipit”- ka thënë ai.Ndërkohë i pyetur në lidhje me objektivat e sezonit të ri dhe pritshmëritë që duhet të kemi për Vllazninë, numri 13 i kuqebluve shprehet:

“Normalisht që do të jetë një sezon i vështirë sepse të vish nga kategoria e parë në Superligë është krejt tjetër gjë, por ne do të mundohemi të bëjmë më të mirën në çdo ndeshje që të sigurojmë sa më parë qëndrimin në Superligë, që është edhe objektivi ynë.
Pastaj çfarë të dal më shumë, është pjesë tjetër”.

Si një lojtar me eksperiencë, Malota di të vlerësojë edhe skuadrën dhe për këtë arsye, në prononcimin e tij thotë se ajo ka nevojë edhe për një sulmues cilësor, prandaj shton:”Kemi nevojë për një sulmues me përvojë sepse aktualisht kemi vetëm një lojtar në këtë repart, madje edhe ai vjen nga të rinjtë. Të tjerët pastaj i di stafi”.

Pyetja e fundit është ajo në lidhje me shortin e kampionatit të ri dhe mbrojtësi shtatëlartë e vlerëson faktin se Vllaznia do të debutojë në Shkodër ndaj Laçit.

“Sa i takon shortit të kampionatit, do ta quaja shumë pozitive luajtjen e ndeshjes së parë në fushën tonë, përpara tifozërisë shkodrane”- thotë Renato Malota.
© shkodrasport.com