Alban Bërmeta, boksieri shqiptar renditet i 37-ti në botë në kategorinë e tij. 32-vjeçari fitoi së fundmi ndaj rivalit Henriques Lando dhe për Report TV me gazetarin Andi Kapxhiu shprehu dëshirën për një ndeshje që vlen titullin e botës. Me 15 ndeshje në boksin profesionist, Bërmeta ka fituar 14 ndeshje, 11 nga të cilat me “K.O”, teksa ka edhe një barazim.
“Ka qenë një vit 2023 i suksesshëm sepse kam bërë pesë ndeshje me pesë fitore në boksin profesionist. Jam i lumtur për këto rezultate.
Vendi i 37-ti nga 1300 sportistë, synimet? Synimi nuk ishte kaq lart, dola përtej pritshmërive të mia. Dua ‘top 20’ në botë dhe më pas të sfidoj për tituj bote, edhe me ndihmën e Zotit.
Dueli i ardhshëm? Nuk premtoj për titullin kampion bote. Në 30 mars në Shkodër kam një ndeshje shumë të fortë dhe dua që pas saj të garoj për titullin e botës.
Ndeshja e radhës? Ka duele të tjera, jemi në kontakt me tre boksierë. Falenderoj Nelson Hysën për mbështetjen sepse falë tij jemi rritur në renditje. Di që ndeshja do jetë e fortë dhe uroj ta kaloj me sukses. Kam shpresë se do i arrijmë objektivat.
Moment i artë për boksin në vend? Është moment i mirë. Denis Nurja, Alban Beqiri, Kajoshi, Drini janë afër renditjes te 100 më të mirët dhe me stërvitje duam të jemi gati për tituj bote”, tha Bërmeta.