Klubet e Superiores bëjnë shpenzime të shumta gjatë sezonit dhe zërin më të madh të tyre e zënë pagat e futbollistëve.
Padyshim për të pasur sukses duhen marrë më të mirët dhe kjo kushton.
Skënderbeu është ekipi që e ka buxhetin më të lartë dhe tashmë është shpallur kampion.
Rreth 1 milion euro të shpenzuara kanë bërë që korçarët të triumfojnë pas një viti pushim, pasi vjet ishte Kukësi që mori “kurorën”.
Por nuk do të thotë që kush shpenzon më shumë arrin të ketë suksese sportive.
Për shembull Flamurtari e Partizani shpenzojnë rreth 1 miliard lekë në vit dhe vlonjatët janë thuajse të dalë jashtë gare për Europën, kurse Partizani varet nga dënimi apo suksesi i Skënderbeut.
Nëse korçarët dështojnë të marrin pafajësinë në CAS, atëherë të kuqtë automatikisht sigurojnë pjesëmarrjen në Europë.
Në të kundërt duhet të shpresojnë që korçarët të fitojnë Kupën e Shqipërisë. Për këtë duhet të zënë vendin e katërt në klasifikim.
Laçi dhe Luftëtari janë shembujt pozitivë. Më pak se kurbinasit shpenzon vetëm Lushnja e rënë nga Superiorja, por për bardhezinjtë kjo nuk ka qenë problem për të shkuar deri në finalen e Kupës së Shqipërisë, si dhe të renditen në vendin e katërt në klasifikim.
Luftëtari ka shpenzuar disi më tepër, por edhe ka arkëtuar para me shitjen e Abazajt dhe Bregut. Veç kësaj, miliona të rëndësishme vijnë edhe nga pjesëmarrja në Kupat e Europës.
Vllaznia është një dështim në aspektin e shpenzimeve dhe rezultateve të marra.
Shkodranët shpenzojnë të paktën 600 milionë lekë në vit dhe janë në vendin e parafundit, një hap larg rënies prej Superiores.
Edhe Kamza ka shpenzuar ndjeshëm dhe janë disa lojtarët që paguhen mbi 3 milionë lekë.
Teuta ka qenë një nga ekipet që nuk shpenzonte edhe aq shumë. Sivjet ndodhi ndryshe dhe rezultati: mbijetesa garantohet vetëm në javën e parafundit të kampionatit.
Kukësi është një nga ekipet që ka shpenzuar goxha sivjet, por edhe ka arkëtuar ndjeshëm: 800 mijë euro nga shitja e Bakajt dhe e Gurit.
Ky mund të jetë viti i parë zero-zero për verilindorët, që do të përfitojnë edhe nga pjesëmarrja në Europë, Champions apo Europa League. Për Lushnjën nuk ka nevojë për komente, shpenzojnë pak dhe marrin… vendin e fundit. /EDS/