Klubi i Partizanit është ai që ka futbollistin me vlerën më të lartë në Kategorinë Superiore. Kjo del nga vlerësimi që ekspertët e portalit të njohur “Transfermarkt” i kanë bërë futbollistëve të kampionatit shqiptar në përditësimin e fundit që është kryer në muajin janar.

Sipas listës së re të publikuar këto ditë, lojtari më i vlefshëm i Superiores është Jurgen Bardhi, i cili tashmë kushton 600 mijë euro, pasi në përditësimin e fundit kartoni i tij është rritur me 25 mijë euro. Vendi i dytë i përket sulmuesit të Kukësit, Rexhinaldo, i cili nuk ka pësuar ndryshim në vlerësimin e tij duke qëndruar në shifrën 550 mijë euro.

Ndërsa vendin e tretë në podium e ndajnë me 525 mijë euro dy futbollistë. I pari është sulmuesi më i ri i Kukësit, Vasil Shkurtaj, vlera e të cilit është rritur me 150 mijë euro në përditësimin e fundit dhe portieri i Laçit, Gentian Selmani (-25 mijë euro në përditësimin e fundit).

Ajo që bie në sy në 10-shen e parë të futbollistëve më të vlerësuar nga “Transfermarkt” është se më shumë futbollistë ka në këtë listë Kukësi, 3 të tillë, i ndjekur nga Partizani, Laçi e Flamurtari me nga 2. I vetmi përfaqësues i Skënderbeut që ka mbetur në 10-shen e parë është Dejvi Bregu, kartoni i të cilit vlerësohet me 500 mijë euro.

Një ndryshim drastik ky duke menduar se në renditjen e janarit 2018, Skënderbeu kishte 5 nga 10 më të mirët dhe 4 vendet e para i përkitnin pikërisht lojtarëve të skuadrës korçare. /vipsport/