Ndeshjet e kësaj jave në Kategorinë Superiore i kanë buzëqeshur sidomos Tiranës, e cila ka rimarrë kreun e klasifikimit dhe ka shtuar edhe dy pikë diferencë ndaj një prej rivalëve të fortë të saj siç është Partizani. Bardheblutë shkojnë në derbi si rrallëherë në vitet e fundit, në kryesim dhe me një avantazh të ndjeshëm ndaj rivalëve direkt.
Kukësi zhgënjeu përsëri, ndërsa Partizani nuk përfitoi për të mbajtur hapin e bardhebluve e për të shkurtuar diferencën sidomos me verilindorët të cilët kanë avantazhin e ndeshjeve direkte si bonus për këtë sezon.
Laçi rishfaqet në vendin e katërt të klasifikimit falë fitores së sotme, ndërsa humb terren Teuta e cila ndan këtë pozicion me kurbinasit me të njëjtën kuotë pikësh. Vetëm 1 pikë larg tyre është Bylisi falë barazimit që rrëmbeu në kryeqytet, ndërsa tani në distancë më të afërt janë Skënderbeu e Vllaznia falë fitoreve që siguruan në ndeshjet e kësaj jave.
Me vetëm 7 pikë diferencë nga vendi i tretë i Partizanit që çon në Europë dhe ai i 8 i Vllaznisë që çon në play-out, mund të thuhet se gjithçka është në lojë në javët në vijim.
Ajo që nuk ndryshon është pozita e Luftëtarit dhe Flamurtarit në fundin e klasifikimit, me të dy skuadrat që vetëm falë matematikës mund ta quajnë veten ende në garë. /vipsport/