Tirana ka humbur fronin si skuadra më e mirë e 2022- shit. Janë shifrat që e thonë këtë dhe fatkeqësisht bardheblutë ua kanë lëshuar vendin rivalëve të përjetshëm, Partizanit. Janë në vendin e parë të renditjes së 36 javëve kampionat, që janë luajtur nga 15 janari 2022 deri në 21 dhjetor të 2022-shit.
Edhe pse janë kampionët e Shqipërisë dhe 10 pikë diferencë nga vendi i dytë, sërish bardheblutë nuk kanë mundur të tregojnë superioritetin. Duke llogaritur gjithë ndeshjet e Superiores, djemtë e Shehit janë të dytët, ndërsa në krye janë të kuqtë me katër pikë më shumë. Tirana është më e fortë në sulm dhe mbrojtje, por me pikë është e dyta.
PIKËT – Gjatë janar-dhjetorit 2022, çuditërisht janë luajtur 36 javë dhe në këtë “kampionat” të ndarë në dy sezone, Tirana paçka se ka kurorën është e dyta me 65 pikë. Në vendin e parë, Partizani me 69 pikë, ndërsa për t’u shënuar se në sezonin e kaluar në 21 javët e mbetura kur bardheblutë u shpallën kampionë, si Tirana dhe Partizani kanë grumbulluar 40 pikë. Diferencën e bëjnë 4 pikët e këtij sezoni futbollistik.
Në vendin e tretë Laçi, por me 9 pikë nga Tirana, më pas Kastrioti, Vllaznia, dy skuadra që janë goxha stabël për sa u përket pikëve, sepse po të shohësh dy renditjet, gjithmonë janë në mes. Zhgënjim si në maj dhe tani në dhjetor është Kukësi, që në këtë renditje është i teti me shumë pak pikë, ndërsa Teuta është skuadra që ka dalë jashtë çdo pritshmërie, duke habitur të gjithë këtë kampionat 2022-2023. Surpriza është Egnatia. Skuadra rrogozhinase ka më shumë pikë në 15 javë nga gushti deri në dhjetor sesa në 21 javët e kampionatit të shkuar.
DOMINIMI – Tej pikëve, Tirana dominon ndaj të gjithë Superiores, sepse është skuadra më e mirë në sulm me 59 gola të shënuar dhe 26 gola të pësuar. Në vendin e dytë Partizani dhe me radhë skuadrat e tjera. Gjithsesi, tej gjithçkaje, paçka pikëve apo golave në krye, kryeqyteti është kthyer në dominuesin e futbollit. Dhe me siguri titulli do të qëndrojë në metropol. Tirana apo Partizani nuk ka rëndësi…
Renditja janar- dhjetor 2022
1. Partizani 69 pike
2. Tirana 65
3. Laçi 56
4. Kastrioti 53
5. Vllaznia 52
6. Teuta 46
7. Egnatia 45
8. Kukesi 42