Vllaznia vazhdon “të çudisë” me paraqitjet e saj këtë sezon. Sidomos me ato brenda teksa ka lënë shumë pikë dhe për rrjedhojë, kjo gjë po i ndikon në renditje.

Ndërkohë shkodranët kanë befasuar me paraqitjet e tyre në ndeshjet në transfertë teksa kanë bërë shumë mirë dhe renditen në mes ekipeve që kanë grumbulluar më shumë pikë.

Statistikat e kuqebluve janë vërtetë interesante. Ndër 32 pikët që kanë marrë deri më tani pas 25 javësh kampionat, 17 prej tyre i kanë fituar në ndeshjet që kanë luajtur jashtë Shkodrës. Kjo falë 4 fitoreve të arritura, 5 barazimeve dhe 3 humbje ndërkohë që ka golaverazhin 11-11.Sa i takon renditjeve në transfertë, Vllaznia zë vendin e dytë pas Tiranës që ka grumbulluar 20 pikë.

Ndërkohë, ndonëse në Shkodër ka luajtur një ndeshje më shumë, pra 13, pikë ka grumbulluar më pak, vetëm 15. Kjo pasi ka marrë vetëm 4 fitore, ka pësuar 6 humbje në “Loro Boriçi” dhe po ashtu ka edhe tre barazime, me golaverazhin 13-10. Sa i takon renditjes së ndeshjeve në shtëpi, Vllaznia ndodhet në vendin e tetë.

Se çfarë po ndodh me Vllazninë në ndeshjet që ajo zhvillon para spektatorit të vet, askush nuk mund ta thotë. E ka provuar të luajë me projektorë, pa projektorë, por 6 humbje janë jashtëzakonisht shumë dhe pikërisht ato po ndikojnë në këtë ecuri jo të mirë të deritanishme në kampionat.

Renditja 32 pikë (vendi i tetë) (+8=8-9. Gol: 24-21)

Ndeshje jashtë: 12 17 pikë (vendi i dytë) (+4=5-3. Gol: 11-11)

Ndeshje brenda: 13 15 pikë (vendi i tetë) (+4=3-6. Gol: 13-10)