Agustin Kola nuk është dakord me Perlat Mustën për sa i përket sezonit të vitit 1989, kur Tirana u shpall kampione. I jep një përgjigje të stilit të tij të drejtpërdrejtë ish-portierit të shquar të Partizanit dhe Kombëtares. “Perlat, nxirr emrat nëse të kanë bërë padrejtësi.
Nuk shkon kështu… Jo po ma bëri të keqen miku, jo po kushëriri… E lexova atë çfarë kishte thënë Perlati dhe nuk mendoj se ka të drejtë”, thotë legjenda e bardhebluve për “Panorama Sport”. I pyetur nëse Tirana e meritoi apo jo titullin, Kola është sërish i prerë: “Nuk na kanë falur kurrë asgjë….”.
Musta thotë se u bë enkas për të dëmtuar Partizanin?
Normat u bënë për të gjithë. Edhe ne të Tiranës bëmë, edhe ata të Vllaznisë. Nëse Perlati mendon se i kanë bërë padrejtësi, unë them se kjo ka ndodhur për shkak të incidenteve në ndeshjen e Partizanit me Benfikën në Kupën e Kampioneve. Por ama edhe Perlati duhet të ketë guximin edhe të thotë emrat. Nuk është normale të thuash tani: “Jo po ma bëri të keqen miku, jo po kushëriri…”.
Nxirr emrat o vlla, edhe thuaj kush ta ka bërë borxh! Unë për vete edhe vëlla ta kem dikë që mendoj se është i keq, do ta them: ky është i keq, por është vëllai im. Ç’është kjo punë tani, rrimë 30 vite edhe themi që na dënuan për të mos fituar titullin. Nuk është e drejtë kjo.
A e meritoi Tirana atë titull?
Plotësisht. Duhet të dini se Tiranës nuk i kanë falur kurrë dhe asgjë atëherë. Është fituar gjithçka me djersë, me mund dhe me një skuadër e staf të shkëlqyer. Kaq.