Zef Gjoni, nuk ka pranuar asnjë prej akuzave të bëra nga arbitri Qemal Hoxha. Në një intervistë për gazeten, Gjoni i quajti ato të pavërteta.Ai eshte ndalur nje e nga nje tek te gjitha akuzat qe gjyqtari i boksit ka bere nje dite me pare ne “Panorama Sport” dhe i ka dhene pergjigjet e duhura. Madje, trajneri i Vllaznise ka kaluar ne kundersulm duke e akuzuar rende Hoxhen edhe si te paafte ne profesionin e tij. Ja intervista e plote:

Gjoni, a jeni ju një i pashkollë siç akuzoheni?
Mua s’më intereson aspak shkolla. Duhet të dini se kam një licencë me dy yje që më është dhënë nga Federata, pres të tretën këtë vit. Kam të drejtë të stërvis çdo ekip në botë, gjë të cilën s’mund ta bëjë asnjë trajner shqiptar. Medaljen e artë e kam marrë në kohën e qeverisë së Fatos Nanos. Përveç kësaj, unë si kryetrajner i Vllaznisë që nga viti 1992 e deri më sot numëroj plot 77 trofe brenda vendit, shumë medalje në rajon e Europë. Kam thyer çdo rekord në boksin shqiptar.
E keni përzier politikën me sportin?
Boksin e pionierët e Enverit (shënjestron Qemal Hoxhën) nuk i kam parë kurrë në jetën time në këtë prizëm. Unë jam aktivist i PD-së, por kurrë nuk kam pasur funksion. Gjatë këtyre 22 viteve kam humbur, sepse, nëse do veproja ndryshe, do isha ndonjë biznesmen, kam refuzuar shumë kërkesa, veç për t’i qëndruar boksit afër.
Kush e zgjedh Federatën, Zef Gjoni?
Absolutisht jo. Unë nuk jam anëtar i kryesisë. Atje ka një bord dhe nuk jam as anëtar i bordit. Jam vetëm anëtar i këshillit të trajnerëve, pra merrem vetëm me anën teknike. Federata ndër vite është drejtuar me presidentë nga Fieri, Durrësi, Gjirokastra apo Kukësi. S’kam pasur asnjëherë lidhje me zgjedhjet. Kjo është hera e parë që kemi një president nga Shkodra, Gjergj Leqejza.
A është Leqejza një kukull?
Leqejza është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të KOKSH-it. Prej shumë vitesh ka qëndruar shumë afër sportit, duke financuar paratë që i fiton nga bizneset e tija. Ai është një figurë e nderuar që po punon për boksin shqiptar, edhe pse ne presim më shumë.
Ishit ju shkaktari i vërtetë i dhunës?
Mosmarrja pjesë e Tiranës në Kupë na bëri fitues ende pa filluar gara. Ne ishim shumë superiorë dhe e kishim garantuar trofeun. Më tepër jemi penalizuar ne si Shkodër me atë që ndodhi. Unë kam kërkuar falje, edhe pse jam thjesht trajner. E kam ndier veten të fyer, por unë nuk jam polic. Gjyqtaria është ajo që ka gabuar, sepse nuk duhej ta fillonin Kupën pa praninë e policisë e ambulancës.
Keni dhënë ju ryshfete apo keni dërguar njerëz për të manipuluar arbitrat gjatë viteve?
Pionieri i Enverit duhet ta thotë se kush i ka ofruar para, e jo të flasë pa emra apo të lëshojë akuza kot. S’kemi pasur nevojë asnjëherë që të ofrojmë para për arbitrat, sepse Vllaznia ka dominuar me diferencë të madhe ndër vite në boksin shqiptar. Kemi qenë e jemi liderë absolutë. Natyrisht që kemi ngrënë dreka bashkërisht, por unë nuk mund t’i lë miqtë të vijnë në Shkodër e të largohen pa ngrënë krapin tonë tradicional. Jam shkodran unë.
Me financimet e Federatës keni abuzuar?
Të pyetet Federata. Unë nuk jam ekonomist i Federatës. Jam trajner. Federata ka një ekonomist dhe janë vetë ata që administrojnë fondet e buxhetit. Të gjithë jeni dëshmitarë se sa kemi vuajtur e sa vuajmë me investimin, shpeshherë kam paguar nga xhepi im apo përmes miqve të mi biznesmenë.
Kush është Qemal Hoxha për ju?
Unë e shumëzoj me zero pionierin e Enverit, por, nëse doni ta dini, vetëm për faj të tij në vitet 93’-94’ ka vdekur në ring një boksier nga Bajza e Malësisë së Madhe vetëm nga paaftësia e pionierit të Enverit. Ai nuk dha faull, ndërkohë që boksieri që ka humbur jetën po merrte grushte pa fund. Po ashtu është akuzuar shpeshherë nga shumë ekipe për ryshfete e njëanshmëri në gjykim.
Senad NIKSHIQI

Ja çfarë tha Hoxha një ditë më parë
“Më kujtohet jo shumë larg, në një aktivitet në Shkodër, kur ai donte me patjetër që të fitonte boksieri i tij. Ne ishim katër arbitra dhe ishim akomoduar në një hotel në hyrje të qytetit. Para aktivitetit na erdhën dhe na takuan njerëzit e Zefit, duke na thënë që “për ju kemi menduar një drekë të mirë në Shirokë dhe ta mbyllim këtu gjithë historinë”. Madje, na ofruan edhe zarfe, por unë në fillim nuk pranova dhe më pas edhe kolegët e mi u solidarizuan me mua. Kur del jashtë në aktivitete të ndryshme, atë nuk e kontrollon askush se sa harxhon dhe si i harxhon; sa jep për sportistët dhe sa fut në xhepin e tij. Kjo është një histori që vazhdon prej vitesh”, do të akuzonte arbitri Qemal Hoxha.