Migen Memelli ka zhvilluar ditën e dytë stërvitore si trajner i Vllaznisë. Ai, së bashku me Ndriçim Shtubinën si zv/trajner dhe Aurel Locajn si përgatitës atletik, janë fytyrat e reja në rradhët e drejtimit të kuqebluve. Po ashtu, pjesë e stafit janë edhe ndihmësit Ergi Borshi dhe Ideal Lekiqi, që pritet të vijojnë si pjesë e stafit.
Në ditën e dytë stërvitore, në orën 17:30, Migen Memelli futet në fushën e blertë para të gjithëve. Pas tij paraqiten edhe ndihmësit, përpara se skuadra të zbarkojë në terrenin e blertë.
Ndërkohë, edhe në këtë seancë të dytë ishin vetëm një pjesë e ekipit, teksa në vijim pritet të bashkohen edhe pjesa tjetër. Të huajt mungonin të gjithë me përjashtim të Zogoviç, teksa emra si Juriç, Vulaj, Jonuzi apo Bulatoviç nuk ishin të pranishëm.
Nga një lokal i kompleksit “Hasaj” në Golem, simpatizantë të klubit ndjekin me shumë kureshtje stërvitjen e Migen Memellit, ashtu siç ndodhi edhe në ditën e parë. Kjo seancë u përqëndrua më së shumti në aspektin fizik, me futbollistët që kanë kaluar një kohë të konsiderueshme jashtë fushave.
Gjithçka nisi me një vrapim rreth fushës dhe pastaj, trajneri Migen Memelli në bashkëpunim kryesisht me përgatitësin atletik, Aurel Locaj, vijuan programin e tyre stërvitor. Ndërkohë, drejtori i ri sportiv, Elvis Plori, e ndjek stërvitjen nga pranë fushës.
Po ashtu, trajneri organizon edhe situata të ndryshme të lojës, teksa përqendrohet kryesisht te sulmi. Memelli, ashtu siç edhe njihet, është një trajner mjaft impulsiv dhe mundohet t’i transmetojë skuadrës sa më shumë grintë.
Toni i lartë i zërit është një karakteristikë lehtësisht e dallueshme. Edhe pse, dita e dytë stërvitore, 43-vjeçari tregohet mjaft “i sertë” ndaj futbollistëve në momentet kur nuk bëjnë atë që ai kërkon, madje herë pas here nuk heziton as të flasë me tone të larta dhe të ndalojë lojën shpesh, për të treguar veprimet dhe mënyrën sesi duhet të përgjigjet skuadra në fushë.
Ai kërkoi që futbollistët të jenë vazhdimisht aktivë dhe të veprojnë me shpejtësi edhe në aktivitete të thjeshta. Në fund, Memelli urdhëron futbollistët të bëjnë një vrapim rreth fushës, me futbollistët që e mbyllin edhe ditën e dytë stërvitore paska të lodhur, pasi duke nisur nga dita e sotme, Vllaznia do të vijojë me dy seanca stërvitore në ditë.
Maringlen ZHIVANI